Lidhje

Një metodë e re 3D për rigjenerimin e kockave


Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry theu këmbën në një aksident me biçikletë në Evropë gjatë fundjavës. Kryediplomati pritet ta marrë veten plotësisht. Por për t’u shëruar atij mund t’i duhet më shumë sesa ta vërë këmbën në allçi. Fraktura më të ndërlikuara mund të kenë nevojë vida metalike, shufra ose pllaka për të mbajtur kockën pa lëvizur. Kur shërohet kocka, pjesët metalike ose lihen në trup ose hiqen, ndonjëherë duke shkaktuar probleme të tjera mjekësore. Por ka një tjetër alternativë ku përdoren materiale të biodegradueshme që kanë të njëjtin efekt shërimi.

Prashant Kumta po projekton një shpikje që mezi pritet nga mjekët.

"Ëndrra e cdo mjeku është që të reduktohet koha e nevojshme e qëndrimit në spital të pacientit. Qëllimi është që pacienti të shërohet dhe të dalë nga spitali”.


Por profesori i bio-inxhinierisë në Universitetit të Pitsburgut thotë se të pakta janë rrugët për të përshpejtuar procesin e shërimit.

"Me teknologjinë e sotme, nëse dikush shtrohet me një frakturë të rëndë, qoftë një plagë lufte si ato të Irakut ose Afganistanir, apo një aksident rrugor, kirurgu nuk ka rrugë tjetër vecse të përdorë materiale sintetike inerte si titaniumi dhe celiku, ose material të padegradueshëm”.

Kumta dhe ekipi i tij i studentëve pasuniversitarë po projektojne material të printuara me tre dimensione që përputhen me trupin e pacientit dhe janë të biodegradueshme, duke përdorur minerale që trupi mund t’i pranojë dhe pastaj t’i lëshojë pasi shërohet plaga.

"Magneziumi është më i përshtatshmi sepse ka karakteristikat e kockës natyrale, si nga qëndrueshmëria, forca dhe dendësia. Ka kompaktësinë e përkryer që përputhet me kockën natyrale”.


Në laborator, ekipi i tij ka zhvilluar aliazhe magneziumi dhe hekuri.

"E kemi parë se si reagon me qelizat e kockës në kushtet e laboratorit. Kemi pasur sukses edhe me printimin 3D”.

Në vend të bojës, ky printer 3-D ka një lëndë ngjitëse të vecantë. Kompjuteri dërgon udhëzime për ta përzier atë me pluhur mineral. Rezultati është një pjesë e bërë sipas një modeli të caktuar, me shtresa të ndryshme.

"Dhe mund të ndërtosh një arkitekturë që imiton kockën origjinale që ka humbur pacienti”.

Ekipi i profesor Kumtës po punon gjithashtu me një stuko prej fosfati kalciumi që mund të injektohet për të mbushur hapësirën mes kockave të thyera. Një pllakë ose vidë e biodegradueshme e printuar me 3 përmasa, nuk do të lejonte lëvizjen e asaj lënde.

"Pllaka do të siguronte forcën mekanike të nevojshmë për të mbajtur peshën dhe lënda mbushëse do të ndihmonte me shërimin dhe formimin e kockës”.

Kumta thotë se kjo është një gjetje revolucionarzuese, me rezultatet më të mira për pacientin. Në vend që të vendosësh një vidë ose pllakë, thotë ai, mjekët mund t’i japin kapacitetit rigjenerues të trupit, një mënyrë më efektive për t’u shëruar vetë.

Provat klinike kanë filluar tashmë tek kafshët për këtë metodë

XS
SM
MD
LG