Lidhje

Një projekt i ri për ruajtjen e Vilës Adrian


Ekspertët po përdorin pamje satelitore për monitorimin e efekteve të jetës moderne tek Vila Adrian - një nga banesat më impresionuese nga periudha e Perandorisë Romake. Kjo vilë pranë Romës me pishina, banja, statuja dhe kopshte të bukura, është përfshirë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Vila u ndërtua nga Perandori Adrian i Romës në shekullin e 2-të. Ajo është simbol i Perandorisë Romake në kulmin e lulëzimit të saj; kjo vilë luksoze madhështore është e mbushur me monumente dhe skulptura.

Vila ndodhet në qytetin e Tivolit, 28 km larg Romës; ajo zë një sipërfaqe prej 1,200 hektarësh, me ndërtesat, kopështet, tempujt, banjot dhe rrugët e saj.

Për nga kompleksiteti i saj, vila i ngjan më tepër një qyteze, se sa një rezidence.

Dimensionet e Vilës Adrian dhe rëndësia e saj historike i impresionuan ekspertët e UNESCO-s dhe në vitin 1999 e përfshinë atë në Listën e Objekteve të Trashëgimisë Botërore.

Por, ruajtja e një zone kaq të gjerë që zë vila, përbën një sfidë të përditshme për ekspertët.

Tani, falë një projekti të ri, për monitorimin e gjendjes së vilës do të përdoret informacioni i marrë me satelit, duke i siguruar profesionistëve mjete të reja për ruajtjen më mirë të Vilës Adriano, sipas rregullave të UNESCO-s.

Programi "Videor", që filloi në tetor të vitit 2015, bazohet tek pamjet satelitore, për t'u dhënë ekspertëve të artit një pamje gjithëpërfshirëse të vilës.

"Videor" është një përpjekje e përbashkët e Institutit të Lartë të Konservimit dhe Restaurimit, degë e Ministrisë së Trashëgimisë Kulturore të Italisë dhe e kompanive private të tekonologjisë, NAIS dhe SuperElectric.

Antonio Monteleone është njëri prej krijuesve të programit “Videor” dhe menaxheri për biznesin i kompanisë teknologjike të informacionit dhe komunikimit, NAIS:

"Videor është një projekt që synon të shfrytëzojë aftësinë e perceptimit me satelit për të vlerësuar gjendjen e konservimit të trashëgimisë kulturore. Ne përqëndrohemi tek dy aspekte të ndryshme: rreziqet me të cilat ndeshen objektet e trashëgimisë kulturore nga faktorë të ndryshëm të degradimit dhe analiza e statusit të konservimit të trashëgimisë nga ekspertët e fushës; në këtë rast janë ekspertët e Institutit të Konservimit të Ministrisë italiane të Trashëgimisë Kulturore", - shpjegon Monteleone.

Kostoja e monitorimit do të ulet falë aftësisë së satelitit për të ofruar një pamje nga lart të të gjithë objektit.

"Vëzhgimi i Vilës Adrian është një objekt shumë interesant studimi, sepse përmes satelitit ne kemi mundësinë e analizimit të rajoneve të mëdha; ne shohim se ç'ndodh në pjesë të caktuara të objektit, faktorët e jashtëm që ndikojnë tek ai, si urbanizimi, apo rreziku i ndotjes së mjedisit.",- thotë Monteleone.

Annamaria Giovagnoli është nëndrejtoreshë e arsimit të lartë në Institutin italian të Konservimit; ajo ka nën përgjegjësinë e saj aktivitetet që lidhen me projektin "Videor" dhe është një nga krijuesit e programit.

Giovagnoli thotë se monitorimi i Vilës Adrian fillon me katër nga pjesët më të rëndësishme të saj: canopus (ku përfshihet një pishinë e madhe e rrethuar me statuja), serapeum (një ndërtesë me kolona që ndodhet në fund të pishinës); banjat e mëdha dhe të vogla.

Pamjet satelitore do të realizohen nga programet italiane COSMO-SkyMed dhe Europe's Copernicus.

"Vila ndodhet në një zonë unike: faktorët që mund të ndikojnë tek konservimi i aseteve kulturore të vilës janë afërsia e saj me rrugët dhe autostradat; urbanizimi pak i kontrolluar; rreziqet hidrogjeologjike, e të tjera. Përmes programit, ne njihemi më mirë me rreziqet dhe i përdorim ato për ta ruajtur më mirë qendrën." - thotë Annamaria Giovagnoli.

Tani ekspertët e artit janë duke kryer studime paraprake të vilës, janë duke studjuar informacionet historike dhe të konservimit, bazuar tek pamjet satelitore të viteve të fundit. Pastaj, ata do t'i studjojnë këto informacione të reja bashkarisht me ato të siguruara nga satelitët në muajt e ardhshëm.

Në zyrat e kompanisë tekonologjike NAIS në Romë, Monteleone me ekipin e tij po vlerësojnë pamjet satelitore të vilës nga periudha 2001 deri në 2015.

"Videor" po ashtu do të përfshijë imazhe të siguruara nga një dron, sensorët e të cilit janë modifikuar në mënyrë specifike për këtë projekt nga kompania SuperElectric, e cila siguron shërbime tekonologjike për monitorimin e aseteve ambjentaliste dhe kulturore.

Alessandro Paglialunga, drejtor i zhvillimit në kompaninë SuperElectric, thotë se pamjet e marra me dron do të ofrojnë një rezolucion shumë më të lartë se sa ato të marra me satelit.

"Ndërsa me satelit, ne marrin pamje me rezolucion të lartë deri në 30 centimetra larg, përmes pamjeve të marra me dron, ne do të marrim informacione deri në pak centimetra larg objektit, do të dallojmë p.sh. plasaritjet nëpër mure…" shpjegon Paglialunga.

Fluturimi i parë me dron mbi Vilën Adrian do të realizohet rreth muajit maj.

XS
SM
MD
LG