Lidhje

Putin komenton mbi shitjen e raketave S-300 Iranit


Presidenti rus Vladimir Putin thotë se vendosi t'i hapë rrugën shitjes Iranit të një sistemi raketash S-300 të mbrojtjes kundërajrore nisur nga gatishmëria e Teheranit për të arritur një zgjidhje lidhur me programin e tij bërthamor. SHBA kanë thënë se "kjo nuk është koha e përshtatshme" për shitjen e raketave të tilla Iranit, për shkak të trazirave në rajon.

Zoti Putin i bëri komentet sot gjatë një seance të përvitshme me pyetje-përgjigje në televizionin rus. Ai iu përgjigj pyetjeve të publikut rus.

Në vitin 2007 Moska nënshkruoi një kontratë me vlerë 800 milion dollarë për të furnizuar Teheranin me pesë bateri raketash S-300. Por Rusia e pezulloi kontratën tre vjet më vonë kur Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara vendosi sanksione ndaj Iranit.

Të hënën, disa orë pasi Moska njoftoi vendimin për të hequr pezullimin, administrata e Presidentit Obama shprehu shqetësim rreth këtij zhvillimi.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se shitja e raketave S-300 Iranit nuk do të shkelte sanksionet ekzistuese të Këshillit të Sigurimit, por SHBA besojnë se "nuk është koha e përshtatshme" për shitjen e raketave të tilla, për shkak të trazirave në rajon.

Duke iu përgjigjur pyetjeve, zoti Putin tha se ecuria ekonomike e Rusisë mbetet e fuqishme pavarësisht nga rënia e çmimeve të naftës dhe e sanksioneve perëndimore për shkak të përfshirjes së Moskës në Ukrainë.

Ai tha se megjithë zhvlerësimin e rublës vitin e kaluar, ai pret që ekonomia ta rimarrë veten plotësisht brenda dy vjetëve.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre vendosën sanksione kundër Rusisë vitin e kaluar pas aneksimit prej saj të gadishullit ukrainas të Krimesë.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu tha sot në një konferencë për sigurinë në Moskë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre perëndimorë i kaluan "të gjitha kufijtë e mundshëm" në ato që ai i quajti përpjekje për ta vënë Ukrainën nën ndikimin perëndimor.

Ai tha se ndikimi perëndimor ndaj Kievit shkaktoi aneksimin e gadishullit të Krimesë nga Rusia, gjë që çoi në një kryengritje të armatosur në lindje të Ukrainës. Rusia ka mohuar në mënyrë të përsëritur pohimet e Perëndimit se ajo mbështet dhe furnizon separatistët pro-rusë në Ukrainën lindore.

XS
SM
MD
LG