Lidhje

Ukraina ndërpret operacionet e sigurisë për Pashkët


Qeveria ukrainase ka deklaruar një ndërprerje të operacioneve të sigurisë për të përzënë militantët pro-rusë nga godinat që kanë marrë nën kontroll. Ministri i Jashtëm Andrii Deshchytsia tha se këto përpjekje janë ndërprerë për festën e Pashkëve. Ai tha gjithashtu se kjo pauzë do t’u jape më shumë kohë vëzhguesve të OSBE-së që të organizohen.

Ndërkohë, Presidenti rus Vladimir Putin thotë se asgjë nuk duhet të pengojë normalizimin e marrëdhënieve mes Rusisë dhe Perëndimit, ndërkohë që këto lidhje kanë arritur nivelin më të ulët historik të pas Luftës së Ftohtë, për shkak të përballjes për Ukrainën. Administrata e Presidentit Obama ka paralajmëruar se Rusia mund të përballet me sanksione të tjera, nëse nuk i përmbahet një marrëveshjeje të re ndërkombëtare për Ukrainën, ose nëse përparon me forcat e saj në kufirin me Ukrainën lindore.

Presidenti rus Putin tha se normalizimi i marrëdhënieve mes Rusisë dhe Perëndimit nuk varet vetëm nga Rusia. Ai tha se kjo gjë varet nga Perëndimi. Komentet e zotit Putin u publikuan nga agjencitë ruse të lajmeve dhe janë pjesë e një interviste me televizionin shtetëror, e cila transmetohet sot.

Administrata Obama e ka paralajmëruar Rusinë se do të përballet me sanksione të reja, nëse nuk i përmbahet marrëveshjes së arritur së fundmi mes saj dhe Perëndimit për Ukrainën. Këshilltarja e Presidentit për sigurinë kombëtare, Susan Rice, u tha dje gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se së bashku me partnerët evropianë "mbeten të gatshme të imponojnë kosto shtesë në Rusi" nëse vendi nuk arrin të përmbushë detyrimet e parashikuara në marrëveshje.

Zonja Rice përsëriti një deklaratë të mëparshme të zëdhënëses së Departamentit të Shtetit Jen Psaki, duke thënë se SHBA-ja beson se Rusia ka përgjegjësi të përdorë ndikimin e saj për të përmbajtur dhe për të tërhequr militantët pro-rusë që kanë marrë ndërtesat qeveritare në Ukrainën lindore.

Por një nga udhëheqësit e militantëve pro-rusë, Denis Pushilin, ka thënë se njerëzit e tij nuk kanë detyrime ndaj marrëveshjes dhe se ata do të tërhiqen vetëm pasi qeveria e Ukrainës të japë dorëheqjen.

Marrëveshja e së enjtes, e cila pasoi bisedimet në Gjenevë midis Ukrainës, Rusisë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, bën thirrje që të gjitha ndërtesat qeveritare të evakuohen dhe që militantët të çarmatosen. Por ajo përman vetëm pak masa konkrete për dhënien fund të krizës dhe shumë udhëheqës perëndimorë janë skeptikë se Rusia do t’i përmbahet me përpikmëri marrëveshjes.

Marrëveshja me shtatë paragrafë nuk i kërkon Moskës në mënyrë specifike që të tërheqë 40 mijë trupat e pozicionuara në kufirin e saj me Ukrainën dhe nuk përmend aneksimin nga ana e Rusisë të gadishullit të Krimesë muajin e kaluar. Ajo gjithashtu nuk e imponon Moskën të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me qeverinë e përkohshme në Kiev.

Por deklarata e përbashkët e katër palëve thotë se vëzhguesit e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) do të fillojnë menjëherë të zbatojnë masat për uljen e tensioneve në vend.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov foli veçmas pas bisedimeve të Gjenevës, duke thënë se katër palët në bisedime do të punojnë për të krijuar një dialog të gjerë kombëtar për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të ukrainasve.
XS
SM
MD
LG