Lidhje

Kryeministri Rama flet për sfidat e sigurisë në Ballkan


Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama foli sot në Këshillin e Atlantikut, ku ai u ndal tek sfidat e sigurisë me të cilat ndeshet sot Ballkani perëdnimor në kuadër të përpjekjeve të tij për t'u integruar në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Rama ne Uashington
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:19 0:00

Zoti Rama nga njëra anë shprehu shqetësimin se sfidat me të cilat përballet Evropa, rrezikojnë ta lënë në hije integrimin e Ballkanit deri në një afat të pacaktuar dhe nga ana tjetër theksoi se përfitimet e integrimit do të ishin të dyanshme.

“Në këtë kontekst, ekziston rreziku se pasojat e krizës ekonomike, të sigurisë dhe asaj të migrantëve që po kalon Evropa do të përhapen në Ballkanin Perëndimor duke sjellë më shumë pasiguri për këtë rajon”, tha zoti Rama.

Për momentin tha kryeministri, çështja e migrantëve është problemi numër një në Evropë, si nga ana e sigurisë ashtu edhe nga çështja e vlerave. Ai the se përgjigjia e Evropës ka qenë e ngadaltë dhe jo e qartë, me përjashtim të Gjermanisë.

Zoti Rama e shprehu shqetësimin se zgjerimi mund të mos jetë përparësi, por duke dolur për sfidat aktuale në kontinent, ai sugjeroi se përfitimet mes Ballkanit dhe Evropës janë reciproke.

“Nuk është e tepruar të thuhet, se Evropa, ka nevojë për Ballkanin të paktën po aq sa ç'ka nevojë Ballkani për BE-në”, në këto momente.

Zoti Rama tha se rajoni është në momentin më të mirë të mundshëm përsa i takon marrdhënieve mes vendeve të tij, një arritje siç tha ai duke pasur parasysh të kaluarën me përplasje etnike.

Kryeministri i bëri thirrje Evropës për të intensifikiuar bashkëpunimin me Ballkanin Perëndimor në këto kohë krizash.

Një nga këto sfida dhe një temë për të cilën zoti Rama qëndroi gjatë, ishte çështja e ekstremizmit të dhunshëm.

Zoti Rama tha se vendi i tij është bërë partner i plotë në përpjekjen globale për ta luftuar atë. Sipas burimeve të ndryshme, nga Shqipëria ka patur rreth 100 luftëtarë që i janë bashkuar grupeve ekstremiste në Lindjen e Mesme.

Por kryeministri Rama tha sot se gjatë vitit 2015 asnjë shtetas shqiptar nuk është bashkuar me organizatat ekstremiste. Kryeministri shqiptar përmendi në fjalën e tij se Shqipëria është një shembull i tolerancës dhe bashkëjetesës së feve të ndryshme. Ai tha se radikalizimi duhet luftuar së pari në mendjet e njerëzve, sidomos të rinjve.

“Duhet t’u mësojmë brezave të rinj sesa i çmueshëm është ky shembull i Shqipërisë, sa i vlefshëm është ky komunitet tolerance dhe bashkëekzistence fetare dhe çfarë rrezikohet përsa u takon kërcënimeve që vijnë nga të gjitha anët ndaj kësaj pasurie kombëtare”, tha kryeministri.

“Ne mendojmë se informacioni i përshtatshëm për moshën dhe një diskutim i hapur në klasa do të kontribuojë që fëmijët dhe të rinjtë tanë të fitojnë njohuri që të jenë më mirë në gjendje që t’i rezistojnë urrejtjes mbështetur tek feja, të refuzojnë diskriminimin dhe kështu të përforcojmë kompaktësinë tonë të njohur sociale”, tha zoti Rama.

Ai iu referua kështu një teme të diskutuar mjaft në Shqipëri. Zoti Rama tha se kur ndodhin sulme terroriste si ai i Parisit, ka nga ata që thonë që ato u kryen nga myslimanët dhe pastaj vazhdojnë duke thënë se kjo është arsyeja që duhen mbyllur kufijtë, duhet t’u hiqet shtetësia dhe këtyre njerëzve u rritet mbështetja.

Duke folur për këtë temë, zoti Rama, përmendi edhe kandidatin republikan, Donald Trump, komentet për të cilin kishte dhënë para disa ditësh, ngjallën reagime në Shqipëri.

Ai sugjeroi se do të ishte e rrezikshme që një njeri që demonizon grupe të caktuara - duke folur veçanërisht për myslimanët - të ishte në krye të Shteteve të Bashkuara.

“Dhe ta them deri në fund se nuk mund të mos e them, se si mundet që Donald Trump mund të arrijë të jetë kandidati i një partie që kishte si kondidat Ronald Reganin”.

Dhe duke folur më gjerë për rrezikun e mosnjohjes, ai dha më shumë hollësi për kontekstin duke thënë se kjo mosnjohje e tjetrit, hendek në mosnjohje krijon premisa të rrezikshme që i bën njerëzit të ndjehen të përjashtuar dhe stigmatizuar.

“Dhe pastaj e kupton që ka një hendek njohjeje, një hapësirë e gjerë ku injoranca, mosnjohja e koncepteve të thjeshta, bazë për fetë dhe për besimin e tjetrit, ka krijuar një terren që e ushqen këtë lloj politike, për këtë lloj radikalizimi dhe krijon një efekt zinxhir”.

Zoti Rama vlerësoi lart marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke thënë se Shqiptarët janë me fat që është një histori suksesi e Shteteve të Bashkuara në Ballkan. Ai përmendi si sfidë për rajonin edhe përpjekjet për ndikim rus, por shtoi se ky ndikim nuk është i njëjtë për të gjitha vendet e rajonit.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje të Zërit të Amerikës, zoti Rama foli edhe për problemet me të cilat përballen vendet e Ballkanit së brendshmi, si klima politike, përfshirë Shqipërinë.

“Po, ne si vende të rajonit, na duhet të përballemi sfidat që kanë të bëjnë me të shkuarën tonë dhe do ta lidhja thjesht me ritmin e integrimit të vendeve ish-komuniste”, tha ai.

“Nëse për vende si Polonia, të hynin në Evropë ishte si të riktheheshin në shtëpitë e tyre, për ne hyrja në Evropë, është të shkojmë diku ku nuk kemi qenë kurrë më parë”, tha ai.

Ai shtoi se vende si Shqipëria kanë më shumë sfida të dukshme përsa i takon korrupsionit apo mungesës së vullnetit për të respektuar ligjin, për shkak të mungesës së modernizimit.

Ai bëri edhe një krahasim me klimën politike në SHBA.

“Përsa i takon klimës politike, jemi në Uashington dhe nuk është një vend që më bën të më vojë zor për jetën tonë politike, sepse nëse nuk ka ndonjë gjë për të mësuar në Uashington është se si të partitë të bashkohen për të mirën e vendit, sepse as republikanët, as demokratët nuk mund të na thonë se e duan njëri-tjetrin dhe sa të gatshëm janë për të bashkuar forcat për një synim më të madh”, tha zoti Rama duke iu referuar retorikës së ashpër të fushatës presidenciale në SHBA.

XS
SM
MD
LG