Lidhje

Milanoviç: Kroacia nuk mund të pranojë më refugjatë


Kryeministri kroat Zoran Milanoviç thotë se vendi i tij nuk do të vazhdojë t’i regjistrojë refugjatët që futen në vend, pasi mbi 11 mijë vetë u futën këtë javë në Kroaci.

Kroacia mbylli mbrëmë shtatë nga tetë pikat e kalimit me Serbinë, pas një dyndjeje të refugjatëve të cilët nuk futeshin dot më në Hungari si rezultat i mbylljes së kufirit.

Në një intervistë sot për televizionin kroat, zoti Milanoviç tha se Kroacia është një vend i vogël. Megjithëse refugjatët janë të mirëpritur të kalojnë përmes Kroacisë si vend trazit, ky vend nuk mund t’i strehojë ata, tha kryeministri. Ai shtoi se refugjatët do të marrin furnizime me ujë, ushqim dhe ndihmë mjekësore por duhet të vazhdojnë rrugën për të dalë nga Kroacia.

Zoti Milanoviç premtoi se nuk do të dërgojë trupa qeveritare në kufi, duke e cilësuar një akt të tillë si “jokushtetues dhe të parealizueshëm”.

Gjermania

Po sot, ministri i jashtëm gjerman tha se nëse vendet anëtare të Bashkimit Evropian vazhdojnë të mos arrijnë mirëkuptim për kuotat e refugjatëve që mund të pranojnë, ndoshta do të bëhet i nevojshëm imponimi i kuotave nga vendet e tjera anëtare.

Frank-Walter Steinmeier tha sot për një gazetë gjermane se Evropa duhet të shqyrtojë mundësinë e një vote me shumicë të cilësuar në takimin e javës së ardhshme të ministrave të jashtëm të BE-së.

Zoti Steinmeier tha se Gjermania, Austria, Suedia dhe Italia nuk mund të përballojnë të vetme barren e sistemimit të masës së refugjatëve.

Evropa Lindore sfidon

Katër vende të Evropës Lindore: Hungaria, Çekia, Sllovakia dhe Polonia kanë thënë se nuk do të respektojnë planin e kuotave që po përpiqet të fusë në zbatim zoti Steinmeier. Në takimin e ministrave të jashtëm ditën e hënë nuk u arrit konsensus për planin, megjithëse Parlamenti Evropian e miratoi këtë masë.

Gjermania ka marrë rolin udhëheqës në akomodimin e refugjatëve, shumë prej të cilëve janë larguar për t’i shpëtuar luftës dhe konflikteve në Siri, Irak dhe Afganistan. Por vetë Gjermania është tani përballë një dileme dhe sfide të papërballueshme ndërsa numri i refugjatëve që futen në territorin e saj rritet dita-ditës.

Refugjatët e bllokuar në kufirin me Hungarinë kanë mësyer Kroacinë në përpjekje për të kaluar në Gjermani, Austri apo Suedi. Por pritja e ngrohtë nga autoritetet kroate u ftoh shumë shpejt, pasi afro 10 mijë refugjatë hynë në Kroaci vetëm brenda dy ditësh.

XS
SM
MD
LG