Lidhje

Forumi i republikanëve dhe imigracioni


Imigracioni ishte një nga temat qendrore mbrëmë (të hënën në mbrëmje) në një forum të republikanëve që po kandidojnë për postin e Presidentit, që u mbajt në prag të debatit të parë zyrtar brenda partisë së tyre.

14 nga 17 konkurrentët kryesorë ishin në shtetin New Hampshire për aktivitetin që zgjati dy orë dhe u transmetua në kanalin televiziv C-SPAN.

Kandidatët folën me radhë në intervista individuale duke iu përgjigjur pyetjeve të moderatorit. Shumë prej tyre shprehën nevojën për t’u përqendruar tek siguria e kufijve të vendit, si një element thelbësor për politikën e imigracionit.

“Po nuk e forcuam kufirin, vala nuk do të ndalet, është si një plagë e rëndë, duhet të bllokosh plagën dhe kjo nuk po bëhet sot në vendin tonë. Për 30 vjet kemi dëgjuar të thuhet se nëse reformojmë imigracionin e paligjshëm, do të sigurohet edhe kufiri. Populli amerikan nuk ka besim se Uashingtoni mund ta zgjidhë çështjen e reformës së imigracionit, pa siguruar kufirin”.

“Nuk më duket se kjo administratë po përpiqet seriozisht për sigurinë e kufirit apo për mbrojtjen e atyre që punojnë. Në 20 vitet e fundit, 35 milionë vetë kanë ardhur në këtë vend, ligjërisht ose jo ligjërisht. Kjo mund të jetë diçka pozitive ose negative, por realiteti është që rrogat e amerikanëve kanë mbetur të pandryshuara për 20 vjet. Mbi 90 për qind e atyre që hyjnë këtu ligjërisht ose jo, pothuajse të gjithë punëtorë pa aftësi të veçanta, vijnë dhe konkurrojnë me amerikanët për këto vende pune”.

Senatorët Rand Paul, Ted Cruz dhe Marco Rubio morën pjesë në forum me videokonferencë.

Miliarderi Donald Trump, i cili kryeson në anketat kombëtare mes republikanëve, nuk pranoi të merrte pjesë.

Trump do të marrë pjesë me nëntë kandidatë të tjerë republikanë të enjten në një debat që do të përfshijë vetëm 10 kandidatët që kanë mbështetjen më të madhe në anketa.

Partia Demokrate e Presidentit Barack Obama nuk e ka bërë ende publik programin për debatet e kandidatëve të vet për zgjedhjet e vitit 2016. Pesë demokratë kanë shpallur kandidaturën deri tani dhe ish-Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton ka një epërsi të qartë në anketa mes demokratëve.

XS
SM
MD
LG