Lidhje

Jep dorëheqjen Ministrja e Drejtësisë e Francës


Ministrja franceze e Drejtësisë u largua të mërkurën nga posti, pasi kundërshtoi një veprim të qeverisë për revokimin e shtetësisë për personat e dënuar si terroristë, të lindur në Francë, në se ata kanë një shtetësi të dytë.

Pallati “Elysee” njoftoi përmes një deklarate se Presidenti Francois Hollande e pranoi dorëheqjen e Christiane Taubiras, pak para mbledhjes së kabinetit dhe disa orë para një debati në komisionin parlamentar lidhur me ligjin e shtetësisë.

Në vendin e zonjës Taubiras vjen Jean-Jacques Urvoas, një ligjvënës i cili konsiderohet si specialist për çështje të sigurisë brenda Partisë Socialiste dhe njeri i afërt i kryeministrit Manuel Valls. Në të kaluarën zonja Taubira ka patur fërkime me kryeministrin Valls, i cili ka pikpëpamje të qendrës.

Christiane Taubira, politikane me origjinë nga Guinea Franceze, një vend në brigjet e Karaibeve, ka qenë mbrojtëse e grave dhe e pakicave në sferën politikën franceze.

Ligji për shtetësinë, i cili u hartua pas sulmeve të 13 nëntorit të vitit të kaluar në Paris, ku u vranë 130 vetë dhe u vranë mbi 350 të tjerë, gëzon popullaritet mes konservatorëve dhe politikanëve të ekstremit të djathtë, por ai është tepër përçarës për socialistët që janë në pushtet në Francë.

Anketat tregojnë se shumica e francezëve e mbështesin ligjin, por kundërshtarët e tij druhen se ai ve në shënjesëtr padrejtësisht myslimanët. Disa e kanë krahasuar atë me revokimin e shtetësisë për hebrejtë në Francë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Christiane Taubira sot ishte në plan të udhëtonte për në SHBA, ku do të takohej me Prokuroren e Përgjithshme Loretta Lynch dhe me përfaqësues të lëvizjes për të drejtat civile “Black Lives Matter”. Asaj do t’i jepej gjithashtu një gradë honorifike nga Universiteti i Wisconsin-it.

XS
SM
MD
LG