Lidhje

Strategjia e re kombëtare e Rusisë


Më 31 dhjetor, presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një strategji të re për sigurinë kombëtare të Rusisë, që e identifikon NATO-n si kërcënim. Strategjia e re, sipas vëzhguesve, reflekton përkeqësimin kohët e fundit të marrëdhënieve mes Rusisë dhe Perëndimit, pas aneksimit të Krimesë dhe mbështetjes për separatistët në Ukrainën lindore, si dhe ndërhyrjen më të fundit ushtarake në Siri.

Dokumenti prej 40-faqesh përshkohet nga një ton i ashpër, duke u fokusuar në atë që e karakterizon si “izolim të Rusisë në sistemin aktual ndërkombëtar”. Veç kësaj, në dokument i jepet përparësi interesave shtetërore ndaj atyre personale. Dokumenti thekson nevojën për të garantuar që të mos shkelet kushtetuta, sovraniteti, pavarësia dhe integriteti territorial i Federatës Ruse.

SHBA, njëkohësisht kundërshtar dhe partner

Dokumenti i strategjisë mban një qëndrim të dy-anshëm ndaj Shteteve të Bashkuara. Në njërën anë, në të thuhet se politika e jashtme “e pavarur” e Rusisë dhe ajo e brendshme, “kanë provokuar kundërshtimin e SHBA-së dhe aleatëve të tyre, që përpiqen të ruajnë dominimin në botë”.

Në të dënohen Shtetet e Bashkuara se kanë vazhduar dislokimin e sistemit mbrojtës nga raketat, i akuzojnë ato për mbështetjen e “një grushti ushtarak” në Ukrainë dhe madje edhe pretendohet se “një rrjet i laboratorëve ushtrako-biologjikë amerikanë” është duke u zgjeruar në territoret e shteteve fqinjë me Rusinë.

Në anën tjetër, në dokument thuhet se Rusia është e interesuar të ndërtojë një partneritet të plotë me SHBA-së. Në të theksohet nevoja për të zhvilluar më tej kontrollin e armëve dhe për të marrë masa për ndërtimin e besimit për të mos lejuar përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë. Strategjia e re po ashtu bën thirrje për zgjerimin e bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit dhe zgjidhjen e konflikteve rajonale. Thirja për parnteritet është thuajse në fund të dokumentit.

“Kërcënimi” nga NATO-ja

Duke iu refereruar Aleancës ushtarake të Perëndimit, strategjia e re kombëtare e Rusisë për sigurinë e përshkruan fuqizimin e NATO-s dhe afrimin e infrastrukturës ushtarake të saj deri në kufirin rus, si “një veprim në shkelje të ligjeve ndërkombëtare”. Rusia thotë se kjo përbën kërcënim për sigurinë e saj kombëtare.

Në një shkrim të botuar në revistën “Interesi Kombëtar”, Thomas Fedyszyn, profesor i sigurisë konbëtare në Kolegjin e Marinës Luftarake, thotë se në dokument nuk theksohet se NATO-ja vendosi ta fuqizojë forcën e reagimit të shpejtë si përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj revanshizimit rus në Krime dhe në Ukrainë, disa muaj pasi ndodhi agresioni.

Fedyszyn, i cili ka qenë Atashe i Marinës në Rusi dhe ka shërbyer dy herë në selinë e NATO-s në Bruksel, po ashtu thekson se trupat e NATO-s në Poloni dhe në shtetet baltike janë dërguar mbi bazën e rotacionit, se ato nuk janë të dislokuara përgjithmonë dhe se numri i tyre është shumë i vogël krahasuar me atë të trupave ruse përtej kufirit.

Politikë “mbrojtëse-agresive”

Alexander Konovalov, president i Insitutit për Vlerësime Strategjike me qendër në Moskë, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, se dokumenti i strategjisë së re pasqyron izolimin ndërkombëtar të Rusisë, përderisa ajo nuk përpiqet më të lidhet me secilin nga ish vendet sovjetike, apo me ato të Azisë qendrore.

Alexander Golts, ekspert i pavarur ushtarak me qendër në Moskë, thotë se strategjia e re kombëtare është më “mbrojtëse-agresive” se ato parardhëse.

Golts thotë se është i sigurt që dokumenti i miratuar nga Putini nuk është një udhëzues praktik për trupat e qeverisë ruse përgjegjëse për sigurinë kombëtare.

"Është e rëndësishme të kuptohet se këto dokumente në Rusi janë thjesht burokratike”, tha ai. Një studjues i vëmendshëm mund gjejë këtu pikëpamje konfliktuale mes klaneve të ndryshme burokratike. Por duhet të kuptoni, se kjo strategji nuk përfaqëson mendimin e udhëheqësve të Rusisë: është ajo që duan udhëheqësit rusë t’i tregojnë botës për pikëpamjet e tyre, që bota të kuptojë se kjo është mënyra se si ata mendojnë.”

XS
SM
MD
LG