Lidhje

Parlamenti rus miraton përdorimin e forcës ushtarake në Siri


Rusia synon të mbështesë presidentin sirian Bashar al-Assad në luftën kundër militantëve të ISIS-it

Dhoma e lartë e parlamentit rus, miratoi kërkesën e presidentit Vladimir Putin për të dërguar forcat ushtarake në Siri, për të ndihmuar qeverinë e Bashar al-Assadit në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik.

Një zëdhënës i qeverisë i tha televizionit shtetëror se vota kishte të bënte me përdorimin e forcave ajrore ruse në Siri.

Sipas zyrtarëve të Pentagonit, Rusia ka vendosur trupat e saj, përfshirë avionët sulmues në verilindje të Sirisë gjatë javëve të fundit.

Të hënën, presidenti Putin foli për rolin në rritje të Rusisë në Siri, duke thënë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se forcat e presidentit sirian Assad janë duke e “luftuar terrorizimin ballë për ballë dhe me trimëri” dhe se refuzimi për të bashkëpunuar me të “është gabim i madh”. Ai e kritikoi perëndimin për armatimin e kryengritësve “të moderuar” në Siri, të cilët siç tha ai, po i bashkojnë forcat me grupin Shteti Islamik.

Më herët, Putini tha në një intervistë televizive në Shtetet e Bashkuara se Moska po e intensifikon punën e saj me presidentin Assad dhe aleatët e tjerë rus në rajon, por nuk ka plane për të dërguar trupa, duke shtuar. “të paktën jo tash për tash”.

Putini tha se Assadi duhet të mbetet në pushtet për të luftuar terrorizmin.

Por, Shtetet e Bashkuara kërkojnë largimin e Assadit. Presidenti Barack Obama tha në Asamblenë e Përgjithshme se Assadi “po hedh bomba mbi popullin e tij”, dhe bëri thirrje për një tranzicion jashtë sundimit të tij.

“Fitorja mbi ISIS-in, kërkon, besoj unë, një udhëheqës të ri dhe një qeveri gjithëpërfshirëse që do të bashkojë popullin sirian në luftë kundër grupeve terroriste”, tha ai.

Sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë, presidenti Obama dhe presidenti Putin, u pajtuan gjatë takimit të tyre në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të hënën që të fillojnë bisedimet ushtarake në “nivelin praktik e teknik” mbi aktivitetet brenda Sirisë.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i mbrojtjes Ashton Carter, udhëzoi personelin e Pentagonit që të komunikojnë me Rusinë lidhur me veprimet e koalicionit në Siri, për të shmangur çfarëdo përplasjeje të gabuar ndërmjet koalicionit dhe forcave ruse atje. Bisedimet synojnë që të bëhet e sigurt se veprimet e koalicionit kundër ISIS-it në Siri “të mos pengohen nga veprimtarët rusë”, tha sekretari për media në Pentagon, Peter Cook.

XS
SM
MD
LG