Lidhje

Ukraina akuzon Rusinë për inkursion ushtarak


Kryeministri i Ukrainës, Arseny Yatseniuk thotë se trupa tokësore ruse kanë hyrë në territorin e vendit të tij. Ai bëri komente sot, pasi qeveria e Ukrainës tha se qyteti i rëndësishëm kufitar Novoazovsk, në Ukrainën juglindore ishte vënë nën kontrollin e ushtrisë ruse. Zoti Yatseniuk tha se Moska kishte dërguar automjete të blinduara, tanke dhe trupa në rajon. Këshilli ukrainas i Sigurisë dhe Mbrojtjes kishte thënë se automjetet e blinduara ruse kishin rrethuar Novoazovksin dhe se edhe disa fshatra përreth ishin marrë nën kontroll.

Kryeministri Arseny Yatseniuk i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të ngrijë zotërimet ruse, pasi paralajmëroi se trupat ruse tani kontrollojnë pjesën jug-lindore të vendit.

“Situata në pjesën lindore të Ukrainës është keqësuar ndjeshëm. Rusia ka dërguar një numër mjetesh të blinduara, tanke e trupa. Konfirmojmë se trupa ruse ndodhen brenda territorit ukrainas. Forcat ukrainase mund të ballafaqohen me guerriljet e udhëhequra nga Rusia, por është e vështirë për ne të luftojmë me Rusinë dhe ushtrinë e saj,” tha ai.

Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko ka anuluar një vizitë në Turqi dhe ka thirrur Këshillin e Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare për të diskutuar situatën.

“Do të zhvilloj takim me Këshillin e Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare ku do të hartojmë një plan në përgjigje të situatës. Do të kërkojmë mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB mbi këtë zhvillim në Ukrainë,” tha zoti Poroshenko.

Përkeqësimi i situatës ndodh në një kohë që ishin ringjallur shpresat për një zgjidhje me kompromis të krizës, pas takimit të Presidentit të Ukrainës Petro Poroshenko me Presidentin rus Vladimir Putin në Bjellorusi të martën.

Analisti amerikan Steven Pifer tha për Zërin e Amerikës se duket qartë që Rusia nuk ka hequr dorë nga pretendimet territoriale në Ukrainë:

“Rusët kanë shumë gurë në dorë: mjete ushtarake, mjete ekonomike, për ta destabilizuar Ukrainën. Nëse Ukraina do t’i rikthehet normalitetit, ata duhet të përpiqen të gjejnë një zgjidhje që kënaq rusët, në mënyrë që ata të mos shkaktojnë probleme të tjera.”

Me acarimin e fundit të situatës, diskutimi i një zgjidhjeje dhe gjetja e kompromisit bëhet tani edhe më e vështirë.

XS
SM
MD
LG