Lidhje

Një muze rus i thur lavdi konfliktit në Ukrainë


Rusia po i thur lavdi versionit të saj për konfliktin në Ukrainë, me hapjen e një muzeumi në Shën Peterburg. Objekti i sapo-hapur është pagëzuar me emrin Novorossiya Museum, ose Rusia e re, një term që përdoret për t’iu referuar rajoneve Donetsk dhe Luhansk:

Në mjediset e muzeut sheh copa predhash, mbetje nga automjete të blinduara, flamuj e simbole të sjella nga vija e frontit.

Sipas faqes elektronike të muzeut, ideja ishte “t’i thurej lavdi kujtimit të luftëtarëve rusë dhe të prezantohej qëndrimi rus në konflikt”.

German Vladimirov, një ndër organizatorët e muzeut tha se donte të nderonte kujtimin e luftëtarëve pro-rusë në fushën e betejës.

“Vëllai im lufton në Republikën Popullore të Luhanskut. Në shkurt u zhvillua një betejë, ku ai gati humbi jetën. Më lindi ideja që të nderoja luftëtarët e thjeshtë, jo personalitetet që shohim çdo ditë në televizor, por njerëzit që nuk i njeh askush, por që humbën jetën në mënyrë heroike në Donbass”.

Muzeu ndodhet në një qilar, për të krijuar ndjesinë e fshehjes në streha të nëndheshme, siç bën popullata në Ukrainën lindore gjatë luftimeve.

Yury Gorchakov është një ndër vullnetarët që kërkojnë për objekte të reja për t’ia shtuar muzeut. Ai thotë se një ndër synimet ishte informimi i turistëve të huaj:

“Ekspozita është e domosdoshme sidomos për vizitorët evropianë në qytet, të cilët këtu mund të shohin me sytë e tyre se çfarë po ndodh në zonën e konfliktit”.

Organizatorët e projektit janë të angazhuar edhe në misione humanitare në ndihmë të popullatës në zonat e konfliktit. Darya Del, një ndër vullnetarët dhe shefja e zyrës për shtypin në muze, thotë se nuk mund të rrinte pasive.

“Kur erdha këtu nuk e dija se çfarë po ndodhte atje. Vetëm kur fillova ta studioj më me kujdes situatën, e kuptova se nuk mund të jem indiferente, se duhet të ndihmoj njerëzit në atë zonë”.

Projekte të ngjashme janë hapur në Rusi, ndër të cilat një ekspozitë me skica nga artistë të Donetskut dhe Luhanskut.

XS
SM
MD
LG