Lidhje

Tahiri: Masa shtesë për lëvizjen e emigrantëve dhe azil-kërkuesve


Ministri i brendshëm Saimir Tahiri deklaroi se policia shqiptare në bashkëpunim me partnerët europianë ka hartuar një seri masash për të shmangur dukurinë e azil-kërkuesve të paligjshëm drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Ministri Tahiri tha në një konferencë shtypi se Shqipëria po shkëmben informacion me të gjithë vendet evropiane për të trajtuar bashkarisht këto lëvizje të parregullta të udhëtarëve drejt BE.

“Situata ka nevojë jo vetëm për bashkëpunimin me vendet partnere, por edhe midis vendeve të rajonit dhe me ato të BE-së. Në situatën e tanishme Shqipëria ka marrë të gjitha masat për të përballur çdo lloj shqetësimi që mund t'i vijë nga kjo situatë. Policia e shtetit është një nga hallkat e masave të shumta. Situata meriton vëmendjen e të gjithëve dhe bashkëpunim intensiv me partnerët” - tha zoti Tahiri.

Ministri Tahiri tha se shifrat e daljes së udhëtarëve nga Shqipëria nuk përputhen me ato të policisë gjermane dhe se shumica e atyre që shkojnë drejt Gjermanisë janë banorë të përhershëm të një vendi anëtar të BE-së, shpesh nga Greqia.

Ai i bëri thirrje opozitës të mos e politizojë këtë çështje dhe tha se do të dalin përpara drejtësisë të gjithë ata persona dhe grupe trafikuesish, që nxiten dhe përfituan nga këto udhëtime për azil drejt BE-së.

Por opozita shprehu shqetësim për atë që e vlerësoi si “Shqipërinë dhe Europën e ka prekur rëndë një nga plagët më të mëdha, një eksod i frikshëm i shqiptarëve, të rinj e të vjetër, me dhe pa fëmijë”.

Partia Demokratike theksoi në një deklaratë pas konferencës së ministrit të brendshëm, se Shqipëria sot po kthehet dhimbshëm në faqet e gazetave botërore dhe në tryezat e diskutimit të qeverive europiane me një eksod të frikshëm të shqiptarëve.

“Shqiptarët po ikin nga përfshirja e kriminelëve në qeverisje, rritja e frikshme e papunësinë, nga rritja e taksave, nga terrori policor dhe politik që i bëhet çdo familje”. Partia Demokratike tha se qeveria nuk po punon për të gjetur zgjidhje, për të hapur vende pune, por po harxhon energji duke kërkuar justifikime, si ai që emigrantët po ikin nga Greqia dhe jo nga vendi i tyre.

Policia gjermane deklaroi pak ditë më parë se gjatë këtij viti mesatarisht 6 mijë deri në 7 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil në Gjermani. Autoritetet kanë deklaruar se pothuaj asnjë prej tyre nuk do të përfitojë azil, dhe procedurat për refuzimin e kërkesave janë përshpejtuar, madje kanë filluar kthimet e para të disa dhjetëra personave.

XS
SM
MD
LG