Lidhje

“Selfie”, prirja për të fotografuar veten


Një shprehje thotë se fotografia vlen sa një mijë fjalë. Kjo mund të jetë veçanërisht e vërtetë tani me numrin e madh të atyre që quhen “selfies” ose auto-foto në internet. Korespondentja e Zërit të Amerikës Deborah Block analizon këtë prirje që po bëhet gjithnjë e më popullore.

Papa e ka bërë, edhe presidenti Obama, dhe njerëz të famshëm si këngëtari Justin Bieber.

“Mendoj se shumë njerëz e lidhin atë me identitetin e tyre, pra një selfie kap diçka që ata mund t’i tregojnë botës se përfaqëson veten e tyre,” thotë profesor Nathaniel Herr.

Zoti Herr, profesor psikologjie në Universitetin American në Uashington, shpjegon se pse brezi i ri sidomos, bën auto-foto dhe i vë në internet.

“Ata ndihen më mirë se brezat e mëparshëm duke parë veten e tyre dhe duke menduar për veten e tyre,” shton ai.

Studentja Kaitlin Lehmann thotë se autofotot janë thjeshtë një mënyrë tjetër komunikimi për brezin e saj:

“Si sot për shembull, unë isha e irrituar se jam në shkollë dhe është e hënë, kështu që i dërgova një fotografi një mikut tim, dhe ai u përgjigj me një fytyrë të ngjashme se as ai nuk i pëlqen të hënat.”

Një studente tjetër, Alyssa Jones, i krahason ato me një bisedë që ka ndalur në kohë:

“Për shembull, kemi auto-foton ‘ishte një ditë e lodhshme' dhe thjesht vështron ngulur, pastaj atë që tregon gëzim.”

Kaitlin Lehman thotë se është e rëndësishme për të që ajo mund të kontrollojë imazhet dhe të zgjedhë se ku dhe kur t’i vendosë:

“Fundjavën e kaluar, vura këtë vath në hundë. Isha shumë e gëzuar dhe i dërgova të gjithëve një foto timen me vathin e ri të hundës,” thotë studentja.

Disa njerëz mendojnë se auto-fotot janë thjeshtë për narcisistët. Një video në YouTube nga muzikantët Chainsmokers tallet me to.

Por Lehman ka tjetër mendim:

“Mund të jetë një formë arti. Van Gogh dhe Rembrandt bënin autoportrete.”

Një studim i kohëve të fundit rreth autofotove tregon se të rinjtë në mbarë botën shprehen në mënyra të ndryshme. Hulumtuesit në Universitetin e Qytetit të Nju Jorkut krahasuan auto-foto nga 5 qytete - Moskë, Berlin, New York, Tokio dhe Sao Paulo. Lev Manovich i cili drejtoi projektin, thotë se mosha mesatare është rreth 24 vjeç:

“Ndryshimi më i madh që kemi gjetur ishte në kthimin e kokës, e drejtë apo diagonale? Shikoni fotot nga Moska, mënyra se si vajzat pozojnë është si në një revistë e mode. Ato duken si modele. Në Brazil, ata luajnë me aparatin. Është shumë më e thjeshtë.”

Por autofotot kanë edhe një aspekt negativ, thonë Jones dhe zoti Herr.

“Unë nuk do të vija asgjë që nuk do të doja ta shihte një punëdhënës i mundshëm.”

“Kur të rinjtë shohin njerëzit e famshëm që vënë foto ku theksojnë bukurinë e tyre, mund të mendojnë se edhe ata duhet të bëjnë të njëjtën gjë, të theksojnë cilësitë e tyre fizike, mbi të gjitha cilësitë e tjera që mund të kenë, dhe kjo mund të ndikojë në vetë-besimin e tyre.”


Zoti Herr nuk mendon se prirja e auto-fotove do të ndalet, edhe pasi njëzet e ca vjeçarët të rriten në moshë:

“Mendoj se duke u moshuar, ai brez do të bëjë më pak autofoto, por pas atij brezi është një grup tjetër fëmijësh që presin të kalojnë nëpër të njëjtën fazë,” thotë profesori i psikologjisë.

XS
SM
MD
LG