Lidhje

Ukrainë: Separatistët, sfidë marrëveshjes ndërkombëtare


Ekstremistët pro-rusë nuk duket se kanë ndër mend të ulin armët dhe të lirojnë ndërtesat qeveritare në Ukrainë. Ka shumë pikëpyetje për suksesin e marrëveshjes mes Shteteve të Bashkuara, Ukrainës, Rusisë dhe Bashkimit Evropiane për të ulur tensionet në rajon.

Para zyrave të administratës rajonale në Donetsk dëgjohej muzikë me zë të lartë, ndërsa flamujt rusë valëviteshin në puhinë e pranverës. Brenda ndërtesës, udhëheqësi i vetëshpallur i separatistëve pro-rusë Denis Pushilin nuk u kushtoi rëndësi përpjekjeve për ta dëbuar atë dhe pasuesit e tij nga ndërtesat:

“Ministri i jashtëm rus nuk nënshkroi në emrin tonë, ai nënshkroi në emër të Federatës Ruse”, thotë Pushilin.

Në Kiev, Ministri i Jashtëm i Ukrainës Andriy Deshchytsia paralajmëroi se po afron afati i fundit:

"Nëse nuk fillon puna brenda pak ditësh, mendoj se pas Pashkëve do të ketë veprime më konkrete”.

Të premten Ukraina nuk arriti të marrë nën kontroll ndërtesat e uzurpuara kur separatistë të armatosur mirë morën në dorë makinat e ushtrisë ukrainase. Gjeneral Brigadieri amerikan Ron Mangum thotë se një përpjekje tjetër mund të mos ketë shanse më të mira suksesi:

"Niveli i organizimit të këtyre grupeve paraushtarake, armatimet që kanë – e gjithë kjo nuk është diçka që ata kanë akumuluar në banesa gjatë verës për të bërë gjueti në vjeshtë”.

Një numër gjithnjë e më i madh zyrtarësh të lartë paralajmërojnë se një pjesë e konsiderueshme e pjesëtarëve të grupeve paraushtarake janë në fakt efektiv i rregullt rus.
Gjenerali Mangum thotë se këto zhvillime u përngjajnë veprimeve që ndërmori Rusia për të aneksuar Krimenë muajin e kaluar dhe ndërhyrjes ruse në Gjeorgji në 2008. Megjithë përpjekjet e NATO-s për të fuqizuar mbrojtjen, thotë ai, fakti që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë thënë se kriza nuk do të zgjidhet me ndërhyrje ushtarake përbën problem.

"Eliminimi i opsionit ushtarak pak a shumë i thotë Rusisë se po nuk arritëm t’i bëjmë presion të fortë ekonomik, nuk ka njeri që e ndalon Moskën”.

Ky nocion ka shqetësuar një numër vendesh në Evropën qendrore dhe lindore.
XS
SM
MD
LG