Lidhje

Jep dorëheheqjen Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter


Sepp Blatter, president i federatës botërore të futbollit, FIFA dha sot papritur dorëheqjen në vorbullën e një skandali korrupsioni. Ai tha se FIFA ka nevojë për një “ristrukturim të thellë”.

Blatter u rizgjodh për një mandat të pestë vetëm katër ditë më parë. Ai bëri thirrje për një një seancë të jashtëzakonshme të Kongresit të federatës së futbollit për të zgjedhur një president të ri dhe tha se do të qëndrojë në detyrë deri atëherë.

Duket se zgjedhja e një presidenti të ri nuk do të bëhet për disa muaj. Komentatorët që njohin procedurat e organizatës parashikojnë që votimi të kryhet në periudhën nga dhjetori i këtij viti deri në mars 2016.

Kreu 79 vjeçar i FIFA-s e deklaroi vendiminn në një konferencë shtypi në Zyrih. Megjithëse FIFA ka marrë një goditje të fortë nga publiciteti negativ mes akuzave për korrupsion dhe marrje rryshfetesh nga shumë udhëheqës të saj, Blatter kishte këmbëngulur se ishte i pafajshëm dhe kishte premtuar se do ta spastronte federatën e futbollit nga gjithkush i përfshirë në aktivitetet e paligjshme.

Komentatorët sportivë nuk e prisnin aspak dorëheqjen e Blatterit sot dhe thuhet se ishin “shtangur” nga kjo kthesë që morën ngjarjet.

Michel Platini, presidenti i UEFA-s kishte bërë thirrje javën e kaluar para votimit për dorëheqjen e Blatterit. Ai e vlerësoi vendimin e tij të sotëm.

“Ishte një vendim i vështirë, një vendim i guximshëm dhe vendimi i duhur”, tha Platini.

Kreu i Shoqatës Britanike të Futbollit, Greg Dyke e përshëndeti vendimin.

“Është lajm i mirë për futbollin botëror dhe FIFA-n. Ndryshimi në nivelet më të larta të FIFA-s është një hap i parë i nevojshëm për një reformë të vërtetë të organiztës”, tha ai.

Wilmar Valdez, Presidenti i Shoqatës Uruguajane të Furtbollit dhe zëvendëspresident i konfederatës së Amerikës së Jugut CONMEBOL, tha se ishte një vendim i çuditshëm pasi Blatter ishte i sigurt që mund të vazhdonte.

“Është e qartë se dikush me peshë ka pasur ndonjë informacion për të që ka arritur ta detyrojë në orët e fundit të japë dorëheqjen”.

Ndërsa për Romarion, fitues i Kampionatit Botëror në vitin 1994 dhe tani senator brazilian ky ishte lajmi më i mirë prej shumë kohësh.

“Dorëheqja e Joseph Blatterit nga presidenca e FIFA-s përfaqëson fillimin e një epoke të re për futbollin botëror. Të gjithë udhëheqësit e korruptuar të federatës në gjithë botën do ta ndjejnë rënien e tyre si një cunami. Shpresoj që kjo valë e madhe të mjaftojë për spastruar gjithë korrupsionin e drejtuar nga autoriteti më i lartë i futbollit i botës”, tha Romario.

Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se nuk do të bënte koment lidhur me njoftimin e Blatterit. FBI-ja amerikane dhe policia zviceriane ndërmorën një sërë aksionesh javën e kaluar ndërsa udhëheqësit kryesorë të FIFA-s mblidheshin në Zvicër, mes akuzave pëe miliona dollarë rryshfete që ishin paguar për të pasur ndikim në vendimet për vendet ku do të mbaheshin aktivitetet ndërkombëtare të futbollit, përfshirë kampionatet botërore.

Gazeta New York Times njoftonte të martën për të disa të dhëna që e vendosnin Blatterin më pranë se kurrë transaksioneve bankare të skandalit të organizatës së futbollit. Sipas gazetës, autoritetet federale besojnë se zëvendësi kryesor i Sepp Blatterit në FIFA, Sekretari i Përgjitshëm Jerome Valcke ka bërë transaksione bankare në vlerën 10 milionë dollarë, që janë elementë qendrorë të skandalit të ryshfeteve që ka përfshirë futbollin.

Valcke, sipas zyrtarëve amerikanë dhe të tjerëve të cilëve u atribuohet Nju Jork Tajmsi, është zyrtari i lartë i paidentifikuar që prokurorët thonë se transferoi 10 milionë dollarë në vitin 2008 nga FIFA në llogaritë e kontrolluara nga një tjetër zyrtar i futbollit, Jack Warner. Kjo pagesë është një pjesë kryesore e akt-padisë së javës së kaluar ku akuzohet zoti Warner se kishte marrë rryshfet në këmbim të ndihmës që i tha Afrikës së Jugut që të siguronte të drejtën që të ishte vendi ku mbahej botërori në vitin 2010.

Valcke nuk është akuzuar për ndonjë veprim të paligjshëm. Informacionet e reja për zotin Volcke kanë ngritur pikëpyetje për ato që dinte zoti Blatter për transferimin e parave.

XS
SM
MD
LG