Lidhje

PE me rezolutë për V. Sheshelin – reagon Beogradi


Parlamenti Evropian zemëroi Beogradin me miratimin e një rezolute nëpërmjet të cilës dënohen veprimtaritë e ultranacionalistit serb Vojislav Sheshel.

Në tekstin e rezolutës së mbështetur nga grupet kryesore politike, dënohet “qasja luftënxitëse e Sheshelit, nxitja e urrejtjes, pretendimeve territoriale dhe përpjekjet e tij për zhvendosjen e Serbisë nga rruga evropiane.

Në rezolutë theksohet se retorika e tij ka rihapur plagët psikologjike të viktimave të luftës dhe mizorive të viteve të 90-ta.

Rezoluta i bën thirrje Gjykatës Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë të ndërmarrë masa për rishqyrtimin e kushteve për lirim të përkohshëm të tij.

Rezoluta po ashtu i bën thirrje Serbisë që të distancohet nga deklaratat e Sheshelit.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, reagoi me zemërim duke e vlerësuar rezolutën si fyese dhe shqetësuese. Sipas tij, nuk ekziston asgjë në Serbinë e sotme që mund të lidhë autoritetet aktuale Vojislav Sheshelin.

Kryeministri serb, dikur aleat i Vojislav Sheshelit, tha se lirimi i tij nuk ishte vendim i Serbisë.

Kryetari i Partisë Radikale serbe, Vojislav Sheshel, u kthye në Serbi më 12 nëntor pasi Gjykata ndërkombëtare për krime lufte në Hagë, e liroi atë përkohësisht, për shkak të gjendjes shëndetësore. Gjykata e Kombeve të Bashkuara i dha mundësi atij të kërkojë trajtim mjekësor në Serbi, me kusht që të mos ndërhyjë tek viktimat apo dëshmitarët dhe që të kthehet në gjykatë kurdo që kjo kërkohet nga Gjykata. Mjekët serbë që e kontrolluan atë kohë më parë thanë se ai vuan nga kanceri.

Vojislav Sheshel, 60 vjeçar, ndodhej në Hagë që nga vitit 2003, ku është gjykuar për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftërave në fillim të viteve nëntëdhjetë Lirimi i tij zemëroi viktimat e luftërave në ish hapësirat e Jugosllavisë.

Menjëherë pas kthimit ai u zotua se nuk do të kthehet vullnetarisht në gjykatën për krime lufte, dhe do të rrezojë nga pushteti ish bashkëpunëtorët e tij që aktualisht drejtojnë Serbinë.

XS
SM
MD
LG