Lidhje

Beogradi dhe antarësimi i Kosovës në UNESCO


Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç, tha se “pranimi i Kosovës në UNESCO do të ishte vendim vetëshkatërrues dhe absurd, pikërisht sikur dikush të propozonte që edhe Shteti Islamik të bëhej anëtar i kësaj organizate”. Ministri serb është shfaqur i zemëruar me mundësinë që Kosova të bëhet pjesë e kësaj agjencie të Kombeve të Bashkuara.

Ai u tha mediave serbe se “katër nga tempujt tanë të shenjtë janë deklaruar si trashëgimi kulturore botërore – manastiri i Deçanit, Patrikana e Pejës, manastiri i Graçanicës dhe kisha e Shën Premtes në Prizren, janë shpallur nga UNESCO si trashëgimi e mbrojtur kulturore për shkak se ishin në rrezik. Dhe nga kush ishin në rrezik? Propozimi i Kosovës në UNESCO do të ishte sikurse të kërkohej që Shteti Islamik, të anëtarësohej në këtë organizatë. Cili është dallimi?”.

Sipas tij, Shqipëria e ka vënë në rend të ditës anëtarësimin e Kosovës në UNESCO jashtë procedurave standarde. Mbledhja e Këshillit Ekzekutiv për futjen në rend dite të kësaj kërkesë do të mbahet me 12 tetor, ndërsa vendimi pritet të merret me 21 tetor në mbledhjen e Asamblesë së përgjithshme të UNESCO-s. Vendimi merret me dy të tretat e votave.

Ministri serb tha se që kur KFOR-i është në Kosovë, janë shkatërruar mbi 200 kisha, manastire e objekte tjera të trashëgimisë kulturore, dhe se ato janë shkatërruar me dinamit si dhe janë djegur dhe shkatërruar mbi 8 mijë varre. Ai tha se vendi i i tij do të luftojë deri në pafundësi për të parandaluar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Zyrtarët e qeverisë së Kosovës e cilësuan “kriminale” qasjen e ministrit serb. Zëvendësministri i A Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, u tha mediave vendase se “deklarata e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, edhe një herë dëshmon se as Daçiçi dhe as politika serbe ende nuk po mund të shkëputen plotësisht nga e kaluara kriminale e shtetit të Serbisë. Daçiç ishte pjesë e regjimit të Serbisë në kohën kur ai regjim në mënyrë të organizuar dogji mbi 200 xhami dhe objekte të tjera të kultit në Kosovë, mbylli shkollat dhe fakultetet në gjuhën shqipe, grabiti pasuritë e trashëgimisë kulturore...”.

Ivica Daçiç, aktualisht, ministër i jashtëm i Serbisë dhe kryetar i Partisë Socialiste, ishte zëdhënës i ish presidentit serb Sllobodan Millosheviç, i cili vdiq në Hagë në vitin 2006, derisa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë, përfshirë edhe Kosovën.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të përparimit drejt integrimeve evropiane. Ndonëse ka nënshkruar një marrëveshje me Kosovën për mos pengimin e anëtarësimit të saj në forumet ndërkombëtare, anëtarësimin e saj në UNESCO e sheh si njohje të shtetit të ri.

XS
SM
MD
LG