Lidhje

Serbia ndalon tubimet për Srebrenicën


Autoritetet serbe vendosen të premten të ndalojnë të gjitha veprimtaritë që lidheshin me 20 vjetorin e masakrës së Srebrenicës

Ministria serbe e punëve të brendshme vendosi të ndalojë të veprimtaritë e paralajmëruara për të shtunën në Beograd. Me 20-vjetorit të masakrës së Srebrenicës.

Një grup organizatash joqeveritare kishin paralajmëruar për të shtunën veprimtarinë me moton “shtatë mijë për Srebrenicën”, që synonte të mblidhte shtatë mijë njerëz para Parlamentit të Serbisë, të cilët do të qëndronin të shtrirë në shenjë respekti për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë.

Njëkohësisht edhe Partia Radikale serbe dhe Partia Demokratike e Serbisë kishin paralajmëruar tubime në kundërshtim të nismës së 43 organizatave joqeveritare.

Organizatorët e kësaj veprimtarie thanë se ndalimi i saj flet për imazhin e vërtetë të Serbisë në vitin 2015.

Më 11 korrik të vitit 1995, trupat e serbëve të Bosnjës, pushtuan Srebrenicën, një qytet që ishte shpallur “zonë e sigurt” nga Kombet e Bashkuara, duke ekzekutuar rreth tetë mijë mysliman boshnjak.

Të enjten Parlamenti Evropian miratoi me shumicë votash rezolutën për Srebrenicën, me të cilën dënohet gjenocidi i kryer 20 vjet më parë. Në rezolutë thuhet mes tjerash se përgjegjëse për vrasjen masive të mbi tetë mijë burrave myslimanë, janë forcat serbe të Bosnjës, të komanduara nga Ratko Mladiç, i cili aktualisht është duke u gjykuar në Gjykatën Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Në tekstin e rezolutës masakra e Srebrenicës cilësohet si gjenocid, ashtu sikundër është cilësuar në vendimet e dy gjykatave në Hagë, asaj për krime lufte dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Ky është krimi më i madh i luftës që ka ndodhur në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore” shkruan në rezolutë, në të cilën theksohet se rreth 1 mijë e 200 banorë të Srebrenicës ende llogariten të zhdukur, disa mijëra gra e fëmijë janë dëbuar dhe shumë gra janë përdhunuar nga forcat serbe.

Në tekstin e rezolutës së Parlamentit Evropian, shprehet keqardhje që Këshilli i Sigurimit i OKB-së, i cili ka përgjegjësinë për mbajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, dështoi të miratojë rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë. Kjo është posaçërisht për keqardhje kur dihet se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, trupi kryesor juridik i Kombeve të Bashkuara, ka përcaktuar se krimet e kryera në Srebrenicë, paraqesin gjenocid, thuhet në rezolutë.

Të mërkurën Rusia i vuri veton një projekt-rezolute të Kombeve të Bashkuara që e dënon si akt gjenocidi masakrën e Srebrenicës.

XS
SM
MD
LG