Lidhje

Shaka e të qeshura mes njerëzve të Uashingtonit dhe Hollivudit


Njerëzit e famshëm të Uashingtonit dhe të Hollivudit u mblodhën mbrëmë për darkën e 100-të vjetore të Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë. Kjo darkë gala është një aktivitet ku mbizotëron humori dhe shakatë.

Presidenti Barak Obama, siç bëjnë presidentët tradicionalisht, ishte i pranishëm në ceremoninë e përvitshme në Uashington dhe bëri shaka të ndryshme, disa prej tyre drejtuar administratës së tij.

Zoti Obama bëri humor me fillimin e trazuar të faqes qeveritare të internetit të programit të kujdesit shëndetësor:

"Filluam faqen e internetit healthcare.gov. Mund të ketë shkuar edhe më mirë. Në vitin 2008, slogani im ishte ‘Yes, we can’. Në vitin 2013 slogani im ishte ‘control – alt – delete’," tha Presidenti.

Presidenti bëri shaka dhe me rrjetin televiziv konservator Fox News, drejtuesit dhe komentatorët e emisioneve të të cilit kanë vënë në pikëpyetje shtetësinë e zotit Obama. Shakaja përfshiu një referencë për zonjën Hillari Klinton, e cila mund të kandidojë për presidente në vitin 2016.

"Le të flasim hapur, Fox, do ju marrë malli për mua pasi të kem ikur. Do të jetë më e vështirë të bindni publikun amerikan se Hillary ka lindur në Kenia," tha zoti Obama.

Joel McHale, drejtues i emisionit “The Soup” në televizionin E Network dhe aktor kryesor i komedisë “Community” të rrjetit NBC, ishte moderatori i mbrëmjes.

Mes yjeve të Hollivudit ishte e pranishme dhe aktorja fituese e Çmimit Oskar Lupita Nyong'o. Të ftuar të tjerë përfshinin guvernatorin e Nju Xhersit Chris Christie, senatorin John McCain, shefen e FMN-së Christine Lagarde, etj.

Darka vjetore mbledh fonde për bursa për studentë të universiteteve.
XS
SM
MD
LG