Lidhje

E ardhmja e marrëdhënieve SHBA-Kubë


Në vitin 1961, Wayne Smith ishte një diplomat i ri me shërbim në Havana të Kubës. Ndër detyrat e tij ishte të mbyllte ambasadën amerikane, të shkatërronte dokumente zyrtare dhe të ndihmonte amerikanët të evakuoheshin nga Kuba.

Marrëdhëniet mes qeverisë amerikane dhe Fidel Kastros ishin keqësuar pasi udhëheqësi kuban deklaroi se ishte marksist, konfiskoi prona amerikane me vlerë prej miliarda dollarësh, shtetëzoi biznese private, mbylli gazeta dhe burgosi një numër të pakonfirmuar kundërshtarësh politikë.

Zoti Smith ishte punonjësi i fundit i ambasadës amerikane që largohej nga Florida. Nga bordi i tragetit ai përshëndeti personelin kuban të ambasadës dhe pa dritat e ndërtesës së ambasadës që po shuheshin gradualisht.

Në atë kohë zoti Smith besonte se mosmarrëveshjet do të zgjidheshin brenda disa javësh. Nga kontaktet me kubanët ai kishte mësuar se dallimet ishin vetëm politike dhe sipërfaqësore dhe se kubanët dhe amerikanët kanë një lidhje të veçantë mes tyre. Ai nuk e imagjinonte se do të duheshin 54 vjet para se flamuri amerikan të ngrihej përsëri në ndërtesën e vjetër të ambasadës në Habana.

Ajo ditë u arrit të mërkurën, kur Presidenti Obama njoftoi zyrtarisht në Shtëpinë e Bardhë rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

“Një vit më parë mund të dukej e pamundur që Shtetet e Bashkuara do të ngrinin përsëri flamurin në Havanë. Ky ndryshim u arrit tani,” tha zoti Obama.

Ndryshimi ishte rezultat i negociatave sekrete disa mujore mes delegacioneve amerikane dhe kubane që kulmuan në dhjetor me vendimin për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike.

Në prill zoti Obama u takua me Presidentin kuban Raul Kastro në Panama, ku ndodheshin për Takimin e Amerikave.

Një ndër pengesat për normalizimin e marrëdhënieve u eliminua në maj, kur Departamenti i Shtetit e hoqi Kubën nga lista e vendeve që sponsorizojnë terrorizmin.

Por kritikët thonë se një ndryshim themelor që ende nuk është realizuar është përmirësimi i gjendjes së të drejtave të njeriut në Kubë. Ndërkohë që Presidenti Obama dhe zoti Kastro përgatiteshin për takimin e tyre në Panama, kamerat regjistruan imazhe të agjentëve duke rrahur e goditur disidentë kubanë gjatë një demonstrate para ambasadës kubane në Qytetin e Panamasë. Dëshmitarët thanë se autorët e sulmit dolën nga ambasada kubane.

Policia kubane vazhdon të mbajë të burgosur disidentë dhe interneti mbetet i mbyllur për pjesën më të madhe të kubanëve.

Presidenti Obama beson se me fluksin e turistëve amerikanë dhe me shkëmbime tregtare e kulturore do të vijnë edhe ndryshime të tjera.

Njoftimi i Presidentit Obama të mërkurën u bë pasi qeveria kubane kishte liruar në janar 53 të burgosur politikë që kishte premtuar t’i lironte në shkëmbim të afrimit mes dy vendeve.

“Askush nuk pret që Kuba të transformohet brenda një dite,” tha Presidenti Obama të mërkurën. “Por unë besoj se angazhimi amerikan përmes ambasadës, bizneseve dhe përmes kontakteve njerëzore, është mënyra më e mirë për të çuar përpara interesat tona dhe për të mbështetur demokracinë dhe të drejtat e njeriut”.

Por kundërshtarët, disa prej të cilëve në Kongres dhe në radhët e komunitetit kubano-amerikan, besojnë se kjo pikëpamje është naive dhe e akuzojnë administratën Obama se nuk ka kërkuar garanci të mjaftueshme në shkëmbim për njohjen diplomatike. Ata gjithashtu nuk besojnë se kjo politikë mund të ndiqet në vazhdimësi.

Synimet e administratër Obama janë liria, begatia dhe hapja e ishullit komunist. Por qeveria Kastro nuk ka bërë premtime për të lejuar zëra kundërshtarë apo për të lejuar zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të drejta, ose hapjen e internetit për të gjithë kubanët.

Historikisht, shumë vetë në Amerikën Latine i kanë kritikuar Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e regjimeve shtypëse, përfshirë atë të Fulgencio Batistas, udhëheqësit kuban që u rrëzua nga Kastro në 1959. Disa kritikë thonë se duke njohur qeverinë Kastro para se të realizojë ndryshime rrënjësore si dhe mepërpjekjet për të zgjeruar ndikimin kulturor dhe tregtar në Kubë, Shtetet e Bashkuara ka rrezik të rikthehen në praktikat e vjetra që Presidenti Obama po përpiqet t’i lërë pas.

“Kam frikë se Presidenti Obama duhet të mësohet me faktin që fotografia e tij me Raul Kastron do të përfshihet në koleksionin e fotografive të diktatorëve latino-amerikanë,” thotë Frank Calzón, kreu i Qendrës për Kubën e Lirë, një organizatë anti-Kastros në Uashington.

Prishja e marrëdhënieve pesë dekada më parë u shoqërua me embargo ekonomike, të cilën mund ta heqë vetëm Kongresi. Vota për heqjen e embargos nuk duket e arritshme, prandaj Presidenti Obama po vazhdon përpjekjet e normalizimit me politika të administratës.

Zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë thanë të mërkurën se administrata nuk është e shqetësuar për financimin e ambasadës së re në Havanë dhe sinjalizoi se Departamenti i Shtetit ka në plan ta financojë ambasadën me fonde të brendshme të departamentit.

Ambasada e re do të operojë në ndërtesën e mëparshme që u braktis nga personeli amerikan në 1961 dhe që është përdorur nga seksioni i interesave që nga viti 1971.

Administrata nuk ka në plan të emërojë një ambassador amerikan për Kubën në të ardhmen e afërt, në mënyrë që procesi të mos rrezikojë bllokimin në Senat. Shefi aktual i Seksionit të Interesave Amerikane në Havanë do të kryejë funksionet e ambasadorit amerikan për momentin.

Wayne Smith vlerëson përpjekjet e Presidentit Obama për të normalizuar marrëdhëniet me kubanët, një veprim që ai thotë se ishte bërë i nevojshëm prej kohësh. “Sa më shumë të angazhohemi me kubanët, aq më mirë. Mbajtja e një qëndrimi armiqësor nuk jep rezultat, ashtu si nuk ka dhënë prej 50 vjetësh”.

XS
SM
MD
LG