Lidhje

SHBA do ta heqin Kubën nga lista e terrorizmit


Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Barack Obama do ta heqë Kubën nga lista e shteteve që mbështesin terrorizmin, një hap kyç në përpjekjet e tij për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Obama e mori vendimin përfundimtar pas një rishqyrtimi që Departamenti i Shtetit i bëri pranisë Kubës në këtë listë. Përcaktimi si shtet që mbështet terrorin ka qenë një njollë mbi krenarinë e Kubës dhe një pengesë e madhe në përpjekjet për riparimin e lidhjeve ndërmjet Uashingtonit dhe Havanës.

Në një mesazh për Kongresin, Presidenti Obama thoshte se qeveria e Kubës "nuk ka ofruar ndonjë mbështetje për terrorizmin ndërkombëtar" në gjashtë muajt e fundit. Ai u thoshte gjithashtu ligjvënësve se Kuba "ka dhënë garanci se nuk do të mbështesë aktet e terrorizmit ndërkombëtar në të ardhmen."

Njoftimi i së martës vjen pak ditë pas takimit që Presidenti Obama dhe presidenti kuban Raul Castro patën në kuadrin e një samiti rajonal në Panama. Bisedimet shënuan takimin e parë zyrtar mes udhëheqësve të dy vendeve të tyre prej një gjysmë shekulli.

XS
SM
MD
LG