Lidhje

SHBA: Çarje në radhët e republikanëve


Në politikën amerikane janë shfaqur çarje të thella në Partinë Republikane, pas dorëheqjes së kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit John Boehner, si dhe futja nga jashtë politikës e kandidatëve presidencialë republikanë. Le t’u hedhim një sy arsyeve të kësaj përçarjeje të partisë dhe si mund të ndikojë kjo në zgjedhjet presidenciale vitin që vjen.

Duke njoftuar dorëheqjen e tij, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, bëri të qartë se është lodhur së luftuari me konservatorët brenda partisë së tij.

“Nëse Kongresi do të fokusohej tek prioritetet e popullit amerikan, atëherë nuk do të kishte asnjë problem. Megjithë diferencat ndërmjet demokratëve dhe republikanëve, qëllimi i udhëheqësve është të gjejnë kompromisin.”

Ndarja ndërmjet konservatorëve të masave dhe republikanëve elitarë është shfaqur edhe gjatë garës presidenciale, me jopolitikanë si Ben Carson, Carly Fiorina dhe Donald Trump.

“Njerëzit pyesin si ka mundësi që Trump po ia del kaq mirë, ose Carson dhe të tjerë? A e dini pse? Sepse njerëzit janë të lodhur nga fjalori politik.”

Ndër ata që e shtojnë këtë zemërim është kandidati presidencial republikan, Bobby Jindal.

“Ka ardhur koha ta heqim qafe Partinë Republikane dhe t’ia fillojmë me një parti të re që të jetë të paktën konservatore. Dua që senatorët dhe anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve në Uashington të luftojnë për atë çka ne besojmë. Ka ardhur koha që të kemi republikanë me shtyllë kurrizore në Uashington.”

Padurimi dhe zemërimi i konservatorëve ndaj status kuosë është elementi që udhëheq garën presidenciale, thotë strategu republikan Ford O’Connell.

“Shumë republikanë mendojnë se udhëheqja e tyre në Uashington nuk ka bërë sa duhet për të zmbrapsur axhendën e Presidentit Obama. Nuk po e shikojmë këtë gjë vetëm në Uashington, por i njëjti efekt duket edhe gjatë fushatës presidenciale që po ndihmon kandidatët nga jashtë politikës.”

Shumë konservatorë kërkojnë përballje, thotë analisti Norman Ornstein.

“Forca radikale në Kongres dhe kandidatët presidencialë kërkojnë masa shtrënguese që do të gjunjëzojnë Presidentin Obama.”

Por, kjo çarje mund t’i dëmtojë republikanët në zgjedhje, thotë John Fortier.

“Ka një çarje. Që të fitojnë republikanët, duhet t’i bashkojnë këto forca.”

Largimi i zoti Boehner mund të ketë shmangur një mbyllje të qeverisë, por tensionet ndërmjet elitës republikane dhe aktivistëve republikanë do të vazhdojnë.

XS
SM
MD
LG