Lidhje

Kamera përcjell mrekullitë në internet


Kohët e fundit, miliona njerëz patën rastin të shohin në kohë reale në Internet, daljen nga veza të dy zogjve shqiponje, falë kamerave me definicion të lartë të vendosura pranë folesë së tyre në Parkun Botanik të Uashingtonit, nga Fondacioni amerikan i Shqiponjave. Pamjet e rralla ishin emocionuese, ngaqë zakonisht njerëzit nuk kanë rastin të shohin nga afër momente kaq të veçanta nga bota e shpezëve, apo ajo shtazore. Kamera e vendosur për shqiponjat është veçse një shembull që shërben për shtuar ndërgjegjësimin për mrekullitë dhe misteret e botës sonë natyrore.

Zogjtë e shqiponjës u bënë sensacione mediatike, pas kamerave të vendosura pranë folesë së tyre, që transmetuan drejtpërsëdrejti, në kohë reale, përmes internetit, pamje të rralla nga ardhja e tyre në jetë.

Kamerat e drejtuara me telekomandë ishin vendosur në një plep të lartë në Parkun Kombëtar në Uashington, ku çifti i shqiponjave kishte ngritur folenë.

Drejtori i Parkut, Richard Olsen, bashkëpunoi me Fondacionin amerikan të Shqiponjave dhe partnerë të tjerë në Shtetet e Bashkuara, për të sjellë drejtpërdrejt përmes kamerave në internet, pamje të zogut kombëtar të Amerikës për miliona shikues në mbarë botën.

“Ky është një rast i mrekullueshëm për Parkun Kombëtar, për Departamentin e Bujqësisë dhe për partnerët tanë, sepse edhe pse ndodhemi në një zonë urbane, mund të shohim nga afër një fole shqiponje. Përmes partnerëve tanë, ne instaluam atje energjinë elektrike, internetin dhe vendosëm kamerat në pemë."

Kamerat shërbejnë për dy qëllime: për t'i ndihmuar biologët të mësojnë më tepër rreth shqiponjave dhe për të edukuar publikun.

“Ky ishte një rast i mrekullueshëm për angazhimin e njerëzve: nxënës nëpër shkolla, në shtëpi, apo qytetarë nga i gjithë vendi dhe në botë, që të shohin këtë akt të mrekullueshëm të natyrës-simbolin tonë kombëtar, shqiponjën amerikane, në Uashington".

Por zogjtë e shqiponjës nuk janë të vetmet krijesa të famshme të kryeqytetit amerikan përmes kameras në internet. Në Kopështin Zoologjik të Insitutit Smithsonian, miliona vizitorë vijnë për të parë pandat gjigande.

Dhe miliona të tjerë i ndjekin ato përmes kamerave, në internet.

Erika Bauer, biologe në Kopështin Zoologjik, trajnon vullnetarë për kameran që xhiron Panadat.

“Arsyeja përse filluam xhirimin e pandave me kamera është fillimisht për punë kërkimore dhe ky është një mjet i mrekullueshëm; ne i përdorim kamerat për menaxhimin e përditshëm, kujdestarët e kafshëve i ndjekin rregullisht xhirimet për të parë sjelljet e tyre gjatë ditës; po ashtu, miliona shikues janë të përkushtuar ndaj pandave. Ata i shohin pandat çdo ditë, pa qenë e nevojshme të vijnë në Uashington; pra është një mënyrë e mirë për të gjithë të interesuarit në mbarë botën, që t'i njohin më mirë pandat."

Brenda dhe jashtë vendit ku mbahen katër pandat, janë vendosur 38 kamera, të cilat regjistrojnë lëvizjet e tyre.

Vitin e kaluar, miliona admirues të pandave patën mundësinë të shohin të dashurën e tyre Mei Xiang, duke lindur.

“Është e mrekullueshme që përmes kameras sonë të lidhur me internet, ne ndamë me publikun prej disa milionash momentet e lindje së pandës."

Kamerat në web mund të shërbejnë për shumë arsye…

Si psh, ato ofrojnë pamje të drejtpërdrejta të kushteve të motit…

Por më magjepsëse janë pamjet e botës natyrore. Ato informojnë, frymëzojnë, ose thjesht, ato ofrojnë një mundësi të rrallë për të kuptuar më mirë dhe për të vlerësuar botën rreth nesh.

XS
SM
MD
LG