Lidhje

SHBA, turizëm në ish qendrën bërthamore


North Dakota nuclear site 2
North Dakota nuclear site 2

Shtetet e Bashkuara kanë në plan të ulin numrin e përgjithshëm të raketave bërthamore me bazë në tokë në vitin 2018, në përputhje me një traktat armësh të nënshkruar me Rusinë në vitin 2011. Shteti i Dakotës së Veriut është vendi ku tradicionalisht janë mbajtur shumë prej këtyre raketave. Kjo përbën një pjesë të trashëgimisë nga Lufta e Ftohtë të këtij shteti, që zyrtarët dhe turistët e pranojnë.

Mes tokave me grurë, në një pjesë të largët të Dakotës së Veriut, fati i miliona njerëzve varej nga lëshimi ose jo i mjeteve vdekjeprurëse të vendosura nën tokë, mbuluar me kapakë betoni e metali.

Me emrin e koduar Nëntor-33 gjatë Luftës së Ftohtë, kjo zonë përmbante raketa balistike me koka bërthamore që prisnin të dërgonin vdekje dhe shkatërrim në një destinacion të panjohur.

"Disa njerëz thoshin me shaka se Dakota e Veriut ishte fuqia e tretë më e madhe në botë sa i përket kapacitetit bërthamor," thotë Alvin Jaeger, Sekretar i Shtetit i Dakotës së Veriut.

Si një person i rritur në Dakotën e Veriut në vitet 1950, Sekretari i Shtetit Alvin Jaeger kujton frikën e një holokausti bërthamor gjatë Luftës së Ftohtë. Ai thotë se më shumë se një mijë raketat e tilla të vendosura në të gjithë shtetin ishin një arsye e fortë për t'u shqetësuar.

"Të gjithë e kuptonim se mund të ishim një objektiv kryesor për t’u sulmuar, por ne vazhdonim me jetën tonë."

"Kërcënimi ishte kaq i madh saqë ata i mbanin çelësat vënë tek sistemi i lëshimit," thotë Gwen Hinman, mbikëqyrëse e qendrës historike të raketave Ronald Reagan.

Ndërsa kërcënimi tani është zhdukur, çelësat janë ende pranë sistemit të lëshimit të raketave të qendrës Oscar Zero pranë Cooperstown, në Dakotën e Veriut.

E nxjerrë jashtë përdorimit nga Forca Ajrore amerikane në vitin 1998, si pjesë e Traktatit të dytë për Pakësimin e Armëve Strategjike (START 2), Oscar Zero tani quhet Qendra Historike Ronald Reagan e raketave Minuteman.

Mbikëqyrësja Gwen Hinman ofron tashmë ture nën sipërfaqe, duke i futur vizitorët në zemër të vijës së parë të Luftës së Ftohtë, ku një ekip i vogël ushtarakësh të specializuar priste pas dyerve të trasha të çelikut të përforcuara me beton për vendimin fatal të nisjes së raketave të tyre bërthamore.

"Zakonisht themi se ata ishin trajnuar për një punë që shpresonin të mos e bënin asnjëherë," thotë Gwen Hinman.

Por kjo punë ende ekziston. Në Dakotën e Veriut gjenden ende rreth 150 qendra aktive raketash, edhe pse zoti Jaeger thotë se pak njerëz dinë rreth tyre.

"Brenda rreth 100 kilometrave ndodhet një qendër bërthamore në gjendje pune. Por, si më parë, njerëzit vazhdojnë jetën e tyre të përditshme dhe ne nuk mendojmë shumë për këtë."

Edhe pse qendrat aktive janë të mbyllura për publikun, zonja Hinman thotë se ato nuk janë shumë të ndryshme nga Oscar Zero.

"Shumica e këtyre pajisjeve është ende e njëjtë. Këto jano ato që ata ende përdorin. Por nuk janë të lidhura me sisteme elektronike, për të evituar që hakerat të mund të hyjnë në sistem dhe të mund t’i nisin."

Në të gjithë Shtetet e Bashkuara ka aktualisht 450 raketa bërthamore me bazë në tokë. Pak muaj më parë, Pentagoni miratoi një plan për të hequr 50 prej tyre nga kapanonët, duke e çuar numrin total në 400, shifra më e ulët që nga kulmi i Luftës së Ftohtë në vitet 1960.

XS
SM
MD
LG