Lidhje

Debate rreth praktikës së vrasjeve me atentat


Administrata Obama po i del në mbrojtje politikës së saj të sulmeve që vënë në shënjestër shtetas amerikanë të dyshuar për përfshirje në akte terroriste jashtë vendit. Komentet vijnë pas një dokumenti të brendshëm të Departamentit të Drejtësisë që ofron një arsyetim të zgjeruar për sulmet si pjesë e luftës kundër terrorizmit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone njofton nga Uashingtoni.

Dokumenti i brendshëm i Departamentit të Drejtësisë është një shpjegim i hollësishëm i praktikës së debatueshme që vë në shënjestër shtetas amerikanë jashtë vendit kur zyrtarët janë të bindur se ata po komplotojnë për sulme kundër Shteteve të Bashkuara.

Më parë zyrtarët flisnin për zbatimin e një praktike të tillë si një mjet të nevojshën sa herë që një sulm terrorist dukej i pashmangshëm. Por ky dokument i ri ofron një arsyetim më të gjerë për sulmet, siç është vënia në shënjestër e të dyshuarve që mund të jenë përfshirë në komplote kundër objektivave amerikane.

Prokurori i Përgjithshëm Eric Holder i doli në mbrojtje këtij formulimi në një konferencë shtypi të martën.

“Shqetësimi ynë kryesor është të sigurojmë jetët e popullit amerikan por ta bëjmë këtë në një mënyrë që është në përputhje me ligjet dhe vlerat tona. Ne kemi marrë një mandat nga kongresi që na lejon të veprojmë kundër al-Kaidës dhe subjekteve të lidhura me të, jo vetëm në Pakistan e në Afganistan, por edhe në pjesë të tjera të botës.”

Por dokumenti i brendshëm ka ngritur në Kongres shqetësime rreth kësaj praktike. Një grup dypartiak prej 11 senatorësh i ka kërkuar presidentit Obama një opinion ligjor të administratës që justifikon ndjekjen e shtetasve amerikanë të dyshuar për përfshirje në akte terroriste.

Ligjvënësi demokrat Jim Moran nga Virxhinia është mes deputetëve të shqetësuar nga justifikimi i qeverisë për të ndjekur shtetasit që ajo beson se janë të përfshirë në grupe të huaja terroriste.

"Mendoj se po shkojmë drejt një kërcënimi serioz të lirive civile amerikanëve. Ajo që më shqetëson është se nuk ka asnjë shqyrtim ligjor të çështjes."

Disa analistë thonë se memoja e Departamentit të Drejtësisë është e rëndësishme pasi jep një përkufizim më të gjerë të një kërcënimi të pashmangshëm terrorist që mund të justifikojë një vrasje me atentat. Jeffrey Rosen është profesor drejtësie në Universitetin George Washington.

"Një nga aspektet më shqetësuese të analizës ligjore të administratës Obama është zgjerimi i përkufizimit të asaj se çfarë lloj rreziku për vendin mund të justifikojë vrasjen e një shtetasi amerikan që vihet në shënjestër".

Debati mbi vrasjet me atentat u rigjallërua pas një sulmi me avion pa pilot në Jemen në shtator 2011. Nga sulmi u vranë dy shtetas amerikanë që zyrtarët amerikanë thanë se ishin të përfshirë në aktivitete terroriste.

Zëdhënësi i presidentit, Jay Carney, thotë se përdorimi i avionëve pa pilot për të vënë në shënjestër amerikanë të dyshuar për terrorizëm është një veprim i ligjshëm, etik dhe i mençur.

Dokumenti i brendshëm i Departamentit të Drejtësisë thotë gjithashtu se sulmet mund të jenë të justifikueshme vetëm nëse përcaktohet se kapja e një të dyshuari për terrorizëm nuk është e mundur.

Por eksperti Jeffrey Rosen paralajmëron se politika e justifikimit është shumë e gjerë dhe se nuk janë hartuar rregulla të mjaftueshme për të penguar abuzimet.

"Ka shumë shqetësime në lidhje me abuzimet e mundshme. Qeveria amerikane edhe mund të gabojë. Ajo mund të identifikojë gabimisht një të dyshuar si një udhëheqës të lartë operativ të al-Kaidës dhe ta vrasë atë pa asnjë proces gjyqësor."

Çështja pritet të shtrohet në Senat gjatë seancës për konfirmimin e zotit John Brennan si drejtor i ardhshëm i Agjencisë Qendrore të Zbulimit. Zoti Brennan ka ndihmuar në menaxhimin e një programi të tillë dhe e ka marrë në mbrojtje atë si një mjet të rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit.
XS
SM
MD
LG