Lidhje

Rishikimi i buxhetit pas uljes së të ardhurave


Në Tiranë, parlamenti pritet të diskutojë javën e ardhshme në komisione rishikimin e buxhetit pas uljes së të ardhurave.

Deputetët e opozitës pohojnë se akti normativ i qeverisë rishikon me ulje investimet dhe paralajmëron edhe përkeqësimin e borxhit publik deri në fund të vitit.

Rishikimi i buxhetit nxit debate
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:52 0:00

Komisionet e përhershme të parlamentit shqiptar nisin në fillim të javës tjetër shqyrtimin e aktit normativ të qeverisë për rishikimin e buxhetit.

Ky dokument mbizotërohet nga fakti që të ardhurat nuk janë mbledhur në nivelin e pritur dhe rishikimi u bë për të mbyllur boshllëkun e shkaktuar.

Deputetët e opozitës pritet të kundërshtojnë masat e pamjaftueshme të qeverisë në këtë fushë, që kanë vënë në vështirësi ekonominë e vendit.

Ish-drejtues i financave, deputeti i Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu, thotë se është për të ardhur keq, që buxheti nuk rishikohet për të rishpërndarë të ardhurat shtesë, por për të riparuar mungesën e tyre.

Sipas tij, qeveria nuk po ndjek politika që të nxitë zhvillimin ekonomik.

Përfaqësues të qeverisë deklarojnë se rënia e të ardhurave ka ardhur edhe si rezultat i informalitetit në tregje jashtë kontrollit si duhanet apo produkte të tjera, cmimet e të cilave varen nga bursat ndërkombëtare.

Por opozita mendon se ulja e të ardhurave të buxhetit dëshmoi se qeveria nuk mblodhi dot taksat e reja, që u rritën vitin e kaluar pa asnjë stimul fiskal. Taksat u rritën në kohën më të papërshtatshme, kur biznesi dhe ekonomia nuk e përballonin dot, ndaj këtë vit janë mbledhur më pak të ardhura se një vit më parë.

Sipas zotit Shehu, investimet janë ulur në mënyrë konstante dy vitet e fundit.

Në terma reale shumat e parashikuara në buxhet për investime janë më të ulta se në vitin 2013.

Misioni i FMN vjen për bisedime të tjera në mes të muajit shtator dhe takimet me zyrtarët shqiptarë nuk do të jenë të lehta.

Opozita mendon që reformat ekonomike të qeverisë Rama nuk dhanë frytet e premtuara.

Efekti i rritjes së taksave duhet të ishte sipas qeverisë rreth 400 milionë dollarë dhe në buxhet duhet të shtoheshin mbi 700 milionë dollarë më shumë.

Por kjo nuk ndodhi dhe të ardhurat u ulën më tej.

Operacioni i shtatorit kundër evazionit fiskal shihet nga qeveria si një punë me rëndësi për të pakësuar informalitetin, që sipas saj, zë të paktën 1/3 e ekonomisë shqiptare.

Po zoti Shehu shton se qeveria po ndjek politika që ulën investimet, kreditimet dhe të ardhurat ndjeshëm.

Sipas tij, operacioni kundër firmave në emër të luftës kundër informalitetit, nuk do të prekë bizneset e mëdha të mbrojtura nga klientelizimi, por do të godasë më shumë biznesin e vogël, i cili mezi po mbijeton me fitime minimale.

Aksioni nuk pritet të sjellë të ardhura domethënëse, se pesha e tatimeve nga biznesi i vogël zë vetëm 0,5 për qind të të ardhurave.

Rishikimi i buxhetit erdhi menjëherë pas uljes së parashikimit për rritjen ekonomike dhe me rënien e kreditimeve.

Edhe investimet publike kanë rënë, ndërsa ato të huaja private janë ngadalësuar.

Sipas ekspertëve të opozitës, në aktin normativ për rishikimin e buxhetit qeveria e llogarit nivelin e borxhit për 9 muaj bazuar në të dhëna me bazë vjetore.

Kjo ul artificialisht në letër nivelin e borxhit kundrejt prodhimit të brendshëm bruto dhe në fund të vitit pritet të përkeqësohet edhe borxhi publik, i cili nga qeveria dhe nga FMN ishte parashikuar të ulet gradualisht.

XS
SM
MD
LG