Lidhje

Shkup, Shqiptarët zhvillojnë protesta të reja


Në Shkup, u mbajt të premten një tjetër protestë kundër dënimit të gjashtë shqiptarëve të akuzuar për vrasjen e 5 maqedonasve në vitin 2012. Protestuesit kërkonin drejtësi dhe lirimin e të dënuarve. Përpjekjet e disa të rinjëve për të hedhur gurë kundër policisë, nuk gjetën mbështetje tek mijëra protestuesit e tjerë.

Protesta ne Shkup
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:03:22 0:00

Disa mijëra shqiptarë përsëri marshuan rrugës së zakontë në protestat e tyre, nga xhamia e Jahja Pashës në një lagje të banuar me shqiptarë në Shkup, drejt bulevardit që çon për tek pallatet e gjykatave. Protestuesit të pakënaqur me dënimet që Gjykata themelore e Shkupit u dha gjashtë shqiptarëve të akuzuar për vrasjen e pesë maqedonasve, mbanin parulla ku kërkohej drejtësi. Në protestë ishin theksuar elementet kombëtare shqiptare.

Policia e përforcuar me mjete të blinduara dhe pompa uji e priste turmën rreth dyqind metra para gjykatave, ku kishte bllokuar rrugën dhe protestuesit nuk mundën të kalojnë.

Protesta e të premtes, ashtu si edhe të mëparshmet, nuk pati ndonjë organizator zyrtar, por u thirr përmes rrjeteve sociale në internet. Disa të rinjë nuk i dëgjuan këshillat e shkrimtarit Kim Mehmeti që të protestonin qetë dhe pa maska:

“S’keni nevojë për maska dhe mos i lini ata të rinjtë atje përpara...”

Përpjekjet e dhjetra të rinjve për të qëlluar me gurë policinë nuk gjetën mbështetje në masën e gjerë të njerëzve, ndërsa disa protestues vetë u përpoqën që të ndalnin dhe të kthenin mbrapsht ata më të prirurit për të sulmuar.

Një nga protestuesit i cili tha se fliste në emër të familjeve të të dënuarve në procesin e emëruar nga policia dhe prokuroria si “Monstra”, paraqiti kërkesa të cilat i lexoi para kamerave.

Protestuesit kërkojnë lirimin e menjëhershëm të gjashtë të dënuarve me burg të përjetshëm, shkarkimin nga detyra të prokurores dhe gjykatësit të rastit si dhe dorëheqjen e ministres së Punëve të Brendëshme.

Policia speciale qëndroi e qetë ndërsa nuk pati asnjë ndërhyrje nga ana e saj. Dhjetra protestues më këmbëngulës mbetën vetëm para kordoneve të policisë, pasi masa prej disa mijë njerëzish u largua qetësisht.

Më parë, kryetari i Bashkësisë Islame në Maqedoni u kishte bërë thirrje protestuesve që të mos përdorin flamuj as parulla arabe në protestat kombëtare shqiptare.

Protestat në Maqedoni u nxitën pas vendimit të Gjykatës themelore në Shkup për dënimin me burg të përjetshëm për gjashtë shqiptarë të këtushëm të akuzuar për vrasjen e para dy vjetëve të pesë maqedonasve të rinjë.

Ministria maqedonase e Punëve të Jashtme u dorëzoi nota proteste ambasadorëve të Shqipërisë dhe Kosovës pas reagimeve nga Tirana dhe Prishtina lidhur me gjendjen e krijuar në Shkup. Maqedonia i akuzon dy fiqnjët për përzjerje në punët e saj të brendëshme.

XS
SM
MD
LG