Lidhje

Filmi Shok, konkurrent për Oscar


Një listë impresionuese me filma me metrazh të shkurtër është para jurisë së çmimeve Oscar këtë vit, ndër to edhe filmi Shok nga Kosova. Producentët dhe regjisorët e këtyre filmave ishin mbledhur mbrëmë në një pritje në Beverly Hills, në prag të ceremonisë së shumëpritur.

Mbrëmja e djeshme i prezantoi realizuesit me luksin dhe bujën e Hollivudit në prag të ceremonisë së ndarjes së çmimeve Oscar që zhvillohet këtë të diel. Por për kineastët vëmendja kryesore është tek mesazhi që përcjellin filmat e tyre.

Regjisori i filmit Shok, Jamie Donoughue, thotë se shpreson t’i ndihmojë njerëzit të reflektojnë mbi dramën njerëzore që ngre filmi:

“Ka disa gjëra që ngrihen në film që shpresojmë se do të hedhin dritë mbi ato që po ndodhin sot. Për shembull kriza me refugjatët sirianë është shumë e ngjashme me ato që ndodhën në Kosovë. Nëse ky film arrin t’i bëjë njerëzit të reflektojnë, apo të shohin më me vëmendje ato që ndodhin në këto zona, do të ndjehesha shumë i nderuar”.

Filmi Shok përqëndrohet mbi miqësinë e dy djemve në Kosovën e përfshirë nga lufta në 1998, peripecitë e jetës së përditshme, dhunën që ka zaptuar realitetin e tyre dhe vendimet që marrin që vënë në rrezik jo vetëm miqësinë e tyre, por edhe jetët e njerëzve përreth.

Filmat me metrazh të shkurtër nuk kanë luksin e buxheteve marramendëse, apo ekipeve profesioniste dhe studiove e fuqishme realizuese të filmave të rregullt. Por ato shpesh kanë histori domethënëse në një stil konçiz rrëfimi. Këtë vit Shok konkurron mes pesë filmave me metrazh të shkurtër, ndër të cilët Ave Maria. Bhasil Khalil, regjisor i filmit shpjegon se realizimi i tij e merr frymëzimin nga situata aktuale në Lindjen e Mesme.

Filmi Çdo Gjë do të Shkojë Mirë, është një dramë familjare që ka në qendër të subjektit një baba të divorcuar, shumë të dhënë pas vajzës tetë-vjeçare. Një fund-javë që kalojnë bashkë shndërrohet nga rutinë mes babait dhe vajzës në një rrugëtim hakmarrës e të trazuar.

Mbrëmja e djeshme u organizua edhe për të nderuar një kategori tjetër filmash me metrazh të shkurtër: realizimet multiplikative. Ndër konkurrentët për Oscar në këtë kategori është edhe një realizim rus që, ashtu si filmi Shok, ka në qendër të subjektit miqësinë e dy djemve. Filmi Nuk Mund të Jetojmë pa Kozmosin gjen frymëzimin në historinë e dy shokëve që ëndërrojnë se kur të rriten do të bëhen astronautë. Një tjetër titull në listën e filmave multiplikativë me metrazh të shkurtër është Super-Ekipi i Sanxhajt. Ky film ka në subjekt një djalë të lindur në Shtetet e Bashkuara në një familje emigrante nga India dhe përplasjet kulturore mes tij dhe të atit që ruan traditën indiane.

Një tjetër konkurrent, përsëri realizim multiplikativ, është filmi kilian Historia e Ariut. Regjisori i tij Gabriel Osorio thotë se ariu është një figurë alegorike për Kilin nën sundimin e Pinoçetit.

Shumë nga këta filma, duke qenë me metrazh të shkurtër nuk gjejnë mbështetje nga kinema të fuqishme pasi nuk mund të tërheqin shikues dhe fitime domethënëse. Por konkurrimi i tyre për Oscar i bën realizuesit e filmave profesionistë seriozë mes kineastëve të tjerë të afirmuar dhe ata shpresojnë se do të hapë porta për bashkëpunime dhe realizime në të ardhmen.

XS
SM
MD
LG