Lidhje

Ngrihet treguesi i besimit ekonomik në Shqipëri


Ekonomia sipas sektoreve
Ekonomia sipas sektoreve

Në Shqipëri treguesi i besimit ekonomik pësoi një përmirësim në tremujorin e katërt të vitit 2012, por ai mbetet ende nën mesataren afatgjatë. Rezultatet e vrojtimit të besimit të biznesit dhe konsumatorëve, të pubikuara nga Banka Qëndrore dëshmojnë se ndërsa treguesi i besimit të sektorit të shërbimeve dhe industrisë u rritën, ai i sektorit të ndërtimit dhe besimi i konsumatorëve u përkeqësuan.

Për herë të parë pas katër tremujorësh me radhë treguesi i besimit apo ndjesisë ekonomike, u përmirësua në fund të 2012, duke u rritur me 6.5 pikë përqindje, por duke mbetur sërish larg mesatares së vet afatgjatë. Rritjen më të madhe e regjistroi treguesi i besimit të sektorit të shërbimeve, falë përmirësimit të vlerësimeve të bizneseve që veprojnë në këtë fushë, si lidhur me gjendjen e përgjithshme të aktivitetit të tyre ashtu dhe me punësimin dhe gjendjen financiare. Bizneset e Shërbimit vlerësuan në përmirësim situatën e përgjithshme ekonomike si dhe pritshmërinë për tremujorin e parë të 2013. Po ashtu, edhe lidhur me kërkesën, ata u shprehën për një përmirësim të saj, gjë e cila u reflektua edhe në vlerësimin për gjendjen financiare të këtij sektori.

Një përmirësim të lehtë, me 1.2 pikë përqindje, sipas vrojtimit të Bankës, ka shënuar edhe treguesi i besimit në industri, falë një vlerësimi më pak negativ lidhur me prodhimin dhe punësimin. Ky është i pari sinjal pozitiv që nga tremujori i katërt i 2011. Megjithatë niveli i këtij treguesi mbetet 7.3 pikë, poshtë mesatares afatgjatë. Bizneset e këti sektori kanë vlerësuar pozitivisht pothuaj të gjithë aspektet e tjera që lidhen me aktivitetin e tyre e po kështu edhe ecurinë e përgjitshme të ekonomisë. Si kërkesa e brendshme ashtu edhe ajo jashtme konsiderohen të përmirësuara. Edhe pritjet për tremujorin e parë të 2013 janë rritur për sipërmarrjet industriale.

Sektori i ndërtimit duket se nuk po arrin të ngrejë krye. Prej disa tremujorësh në një recesion të thellë, edhe treguesi i besimit, në fund të 2012 shënoi një tjetër përkeqësim, duke rënë me 5.6 pikë përqindje e duke zbritur me 34 pikë nga mesatarja afatgjatë, gjë që përbën dhe minimumin historik të treguesit të besimit të këtij sektori. Bizneset që veprojnë në këtë fushë kanë vlerësuar negativisht si gjendjen e kërkesës ashtu dhe të prodhimit, ndërsa u sinjalizua një përmirësim i lehtë i punësimit. Vlerësimi për gjendjen e përgjithshme të aktivitetit të këtij sektori ashtu si dhe për situatën e përgjithshme ekonomike në vend ka vazhduar të regjistrojë rënie, thekson vrojtimi i Bankës. Por bizneset e ndërtimit duket se parashikojnë dritë në fund të tunelit në muajt e parë të 2013. Pritshmëritë e tyre si për kërkesën dhe prodhimin janë optimiste.

Pas një rritje të lehtë në tremujorin e tretë, treguesi i besimit të konsumatorëve ra sërish në fund të vitit që shkoi. Një rënie e cila sipas Bankës, u ndikua nga përkeqësimi i vlerësimit të situatës financiare, asaj ekonomike dhe situatës së raportit të ardhura-shpenzime. Konsumatorët janë shprehur pesimit për situatën financiare të familjeve dhe të vetë gjendjes ekonomike të vendit, ndërsa kosto e jetesës është vlerësuar në rritje gjatë tremujorit të katërt, si në krahasim më tremujorin pararendës ashtu dhe me gjendjen e një viti më parë. Pothuajse gjatë gjithë 2012 Banka e Shqipërisë ka folur për një rënie të konsumit, duke u shprehur e shqetësuar për pasojat mbi rritjen ekonomike të vendit.

XS
SM
MD
LG