Lidhje

Shqipëri: Ceremoni në përkujtim të Holokaustit


Shqipëria zhvilloi sot ceremoni të vecanta në përkujtim të Holokaustit, ku diplomatë, studiues, politikanë dhe qytetarë të mbijetuar treguan mbi masakrat hitleriane gjatë luftës së dytë botërore dhe sakrificat e shqiptarëve për të shpëtuar hebrejtë. Në ministrinë e jashtme u zhvillua një takim përkujtimor, ku historianët dhe diplomatët përshkruan përpjekjet e gjithë popullit shqiptar për të strehuar dhe mbrojtur nga nazistët qindra hebrenj, që emigruan nga Europa në Shqipëri për t'u fshehur. Në këtë takim hebrenj të mbijetuar në shtëpi nga përndjekja naziste treguan kujtime me detaje se si shqiptarët vunë në rrezik jetën e tyre dhe të familjeve, duke mos dorëzuar miqtë hebrenj, që i strehuan, veshën dhe ushqyen në vitet 30-40 deri sa mbaroi Lufta e Dytë Botërore në 1945, pra më shumë se një dekadë.



Ministri Bushati deklaroi se këtë humanizëm, bujari dhe tolerancë shqiptarët e kanë në themel të jetës dhe të shtetit të tyre. Shqipëria është i vetmi vend në Europë, ku gjatë Luftës së dytë botërore nuk humbi jetën asnjë hebre, nuk u arrestua asnjë hebre prej nazistëve dhe madje komuniteti hebre u 10-fishua, duke ardhur edhe nga shtete të tjera, ku ata përndiqeshin.

Shteti shqiptar i asaj kohe i hapi kufijtë për refugjatët hebrenj, që përndiqeshin në të gjithë Europën i pajisi të gjithë me dokumenta si shqiptarë, që t'i mbronte nga nazistët. Qytetarët e thjeshtë i strehuan dhe i fshehën hebrenjtë në të gjithë qytetet dhe fshatrat e vendit, dhe një pjesë që dëshironin të largoheshin, u siguroi pasaporta shqiptare dhe një kalim të sigurtë për në SHBA.
XS
SM
MD
LG