Lidhje

Shqipëri, nisma globale “Një miliard që ngrihen”


Thirrja për organizimin edhe në Tiranë të kësaj nisme ishte e kryetares së parlamentit shqiptar, Jozefina Topalli

Në Shqipëri mijëra gra dhe vajza të reja iu bashkuan sot për herë të parë nismës globale “Një miliard që ngrihen”, e konceptuar si një lëvizje mbarëbotëror kundër dhunës ndaj grave.

Thirrja për organizimin edhe në Tiranë të kësaj nisme ishte e kryetares së parlamentit shqiptar Jozefina Topalli e cila tha se “një miliard gra dhunohen sot në botë dhe kjo është një barbari. Ndërsa një miliard gra që ngrihen është një revolucion”, theksoi zonja Topalli.

Në bulevardin qëndror të kryeqytetit një numër i madh grash e të rejash krijuan një koreografi shumengjyrëshe ndërsa kërcyen dhe kënduan këngën himn “Break the chain” (Këputini zinxhirët) si dhe këngë të tjera, ndër më të bukurat dedikuar dashurisë për gruan.

Aktiviteti i sotëm në Tiranë, në ditën e Shën Valentinit, nuk është thjesht përqafimi i një nisme globale, por edhe një lëvizje për të luftuar dhunën ndaj grave edhe në Shqipëri, ku ky fenomen po bëhet gjithnjë e më shqetësues.

“Mijëra që ngrihen sot në Tiranë, është një premtim për t’i dhënë fund dhunës”, deklaroi zonja Topalli.
XS
SM
MD
LG