Lidhje

Shteti Islamik dhe taktikat e tij


Pas rreth 10 muajsh që nga sulmet e para ajrore amerikane kundër objektivave të ISIS në Irak, grupi terrorist ka pësuar goditje të vazhdueshme në disa fronte. E megjithatë, fushata për të degraduar dhe përfundimisht shkatërruar kalifatin e vetëshpallur duket se nuk ka arritur shumë për të zmbrapsur luftëtarët e këtij grupimi që po mbjell terror në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.

“ISIL (ISIS) mbetet një forcë e efektshme”, i thotë Zërit të Amerikës një zyrtar i shërbimeve të zbulimit. “Ata dinë se si të shfrytëzojnë dobësitë e sigurisë dhe të mbjellin frikë në zemrat e armiqve të tyre.”

Kjo aftësi ndoshta u pa më qartë në qytetin Ramadi, qendër e provincës Anbar të Irakut. Megjithëse shumë më të paktë në numër, luftëtarët e ISIS e morën qytetin javën e kaluar nëpërmjet përdorimit të një sërë makinash të ngarkuara me eksploziv për të trembur dhe zmbrapsur forcat e sigurisë irakiane.

Zyrtarët amerikanë të zbulimit pranojnë se rënia e qytetit Ramadi është shqetësuese, por se nuk duhet parë si vendimtare ndaj përpjekjeve për të degraduar aftësitë e Shtetit Islamik.

“Zmbrapsjet në fushëbetejë dhe presioni nga Koalicioni e kanë shtrënguar ISIS-in të ripërshtasë taktikat dhe të përqëndrohet tek objektivat më oportune, krahasuar me periudhën e vjetshme kur zgjeronin territorin e tyre”, thotë zyrtari amerikan.

Zyrtarë të lartë ushtarakë gjithashtu vënë në dukje se Shteti Islamik po përqëndrohet në fitore ushtarake, të cilat i shndërron menjëherë në propagandë. Ata thonë se ISIS nuk do të jetë në gjendje të ruajë qytetet e kapura, si Ramadin.

“Ky është qartësisht një grupim që po përjeton një trajektore rënieje”, thotë Daveed Gartenstein-Ross, studiues në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive. “Ata janë ende tepër të rrezikshëm, por po u shtohen vështirësitë për marrjen dhe mbajtjen e territoreve të reja.”

Zyrtarët e Pentagonit thonë se që kur filluan sulmet ajrore gushtin e kaluar, Shteti Islamik ka humbur kontrollin e të paktën 13 mijë kilometrave katrorë, dhe nuk ka aftësinë të lëvizë lirisht në pothuajse një të tretën e hapësirave që zotëronte dikur. Por, ka shqetësime në rritje se grupi terrorist vazhdon të jetë më shumë se sa thjesht një forcë me potencë.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të nënvlerësojnë Shtetin Islamik”, thotë Michael Rubin, një ish-zyrtar i Pentagonit, tashmë pjesë e Institutit Amerikan të Sipërmarrjeve. “Është e qartë se ata nuk janë degraduar, dhe nuk janë shkatërruar.”

Që nga 8 gushti i vitit të kaluar, koalicioni i udhëhequr nga SHBA ka kryer më shumë se 4100 sulme ajrore kundër Shtetit Islamik në Irak dhe në Siri, duke dëmtuar ose shkatërruar me shumë se 6200 objektiva. Në një intervistë dhënë në janar kanalit Al Arabiya, ambasadori amerikan në Irak, Stuart Jones, tha se më shumë se 6 mijë luftëtarë të ISIS, ndër ta edhe komandantë të lartë, janë vrarë.

Sipas vlerësimeve të asaj kohe të shërbimeve amerikane të zbulimit, të cilat vlerësonin numrin e forcave luftarake të Shtetit Islamik nga 20 mijë deri në 31 mijë e 500 luftëtarë, dëme të tilla duhet të kishin ulur aftësinë e grupit për të luftuar. Por, kjo nuk ka ndodhur.

“Nga pikëpamja operacionale, nuk shikoj asnjë provë që këto shifra të jenë të vërteta”, thotë Thomas Joscelyn, kryeredaktor në revistën The Long War Journal. “Shteti Islamik nuk ka humbur 20 deri në 30 përqind të aftësive operacionale deri në janar 2015. Edhe deri më tani ende nuk e ka pësuar këtë humbje.”

“Ndërkohë që mijëra luftëtarë dhe udhëheqës të tyre janë vrarë që nga fillimi i sulmeve ajrore vitin e kaluar, radhët e Shtetit Islamik nuk janë tkurrur në mënyrë domethënëse”, thotë zoti Joscelyn.

Një arsye mund të jetë sepse vlerësimi i shërbimeve amerikane të zbulimit për forcat e Shtetit Islamik mund të jetë tepër i ulët. Zyrtarë të zbulimit e pranojnë se vlerësimet e tyre kanë qenë konservative. Madje disa analistë i kanë kritikuar se kanë dhënë shifra shumë më të ulëta.

Zoti Joscelyn thotë se edhe tani, numri i luftëtarëve të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri është “lehtësisht në dhjetëra mijëra”, përfshirë një përzierje xhihadistësh lokalë, ish-Baathistë, rekrutë dhe luftëtarë të huaj.

Të tjerë vlerësojnë se shifra është rreth 50 mijë. Disa ish-zyrtarë madje kanë sugjeruar se Shteti Islamik mund të ketë deri në 100 mijë luftëtarë.

Radhët e Shtetit Islamik janë rritur edhe prej një prurjeje të qëndrueshme luftëtarësh të huaj. Megjithë disa njoftime nga grupe të të drejtave të njeriut se numri i luftëtarëve të huaj ka rënë, një zyrtar i lartë ushtarak amerikan i tha Zërit të Amerikës se grupi po rifreskon radhët e tij me një mesatare prej 100 luftëtarësh të rinj të huaj çdo muaj.

Edhe kjo shifër madje mund të jetë e ulët.

“ISIL duket se po rekruton prej rreth 100 vendeve të botës, gati 1000 oficerë çdo muaj, të cilët vijnë për të luftuar në Irak dhe Siri”, thotë studiuesi i Institutit Brookings, Michael O’Hanlon. “Nuk e dimë realisht se sa luftëtarë janë brenda radhëve të ISIL-it.”

Pavarësisht se cilat mund të jenë shifrat e vërteta, zyrtarët ushtarakë thonë se Shteti Islamik vazhdon të ketë përmasat për të qenë i efektshëm.

Zoti Joscelyn paralajmëron se shifrat mund të mos kenë rëndësi as për vetë komandantët e Shtetit Islamik.

“Shteti Islamik po arrin fitore jo duke mposhtur armiqtë nëpërmjet numrave, por duke përdorur taktika të sofistikuara ushtarake dhe pajisje të përmirësuara luftarake”, thotë ai.

XS
SM
MD
LG