Lidhje

Liria e Shtypit, niveli më i ulët në 12 vjet


Një raport i ri thotë se liria e shtypit në mbarë botën pësoi rënie vitin e kaluar në nivelin më të ulët në më shumë se një dekadë. Freedom House me seli në Uashington, thotë përmes një raporti të publikuar sot se vetëm një në shtatë njerëz jeton në një shtet ku siguria e gazetarëve është e garantuar dhe institucionet mediatike nuk janë objekt i ngacmimeve dhe presioneve qeveritare.

Raporti thotë se 12 vitet e fundit liria e shtypit në botë ka përsuar një rënie graduale. Jennifer Dunham me Freedom House shpjegon arësyet kryesore të këtij përkeqësimi.

“Është shtimi i dhunës ndaj gazetarëve në botë në vende të ndryshme. Një tjetër arsye tjetër është polarizmit i theksuar i shtypit”.

Pronarë të fuqishëm mediatikë dhe rebelë të armatosur po ushtrojnë trysni ndaj gazetarëve për të qënë të njëanshëm. Udhëheqësit autoritarë dhe ekstremistët po godasin gazetarinë e pavarur. Temat më të rrezikshme janë krimi i organizuar, korrupsioni, feja, apo sovraniteti i kontestuar.

Raportimi nga zonat e konfliktit është bërë kaq vdekjeprurës sa që është e vështirë rrjedhja e informacionit, thotë për Zërin e Amerikës Jennifer Dunham me Freedom House.

“Në Siri dhe Irak, gazetarët rrezikojnë jetën për të siguruar të paktën ndonjë informacion. Siria ishte vendi me numrin më të madh të gazetarëve të vrarë, 14 gjatë vitit 2015.”

Jetët e gazetarëve po ashtu rrezikohen në vendet e pushtuara nga krimi si Meksika apo vendet e Amerikës Qendrore ku autoritetet lokale janë korruptuar nga kartelë të fuqishëm të drogës.

Shumë vende kufizojnë qasjen në internet çfarë reflekton keqas në qeveritë përkatëse. Kina, aktualisht ka në burg më shumë gazetarë se asnjë vend tjetër dhe mbikëqyr raportimet në ekonomi dhe subjekte të tjera që më parë konsideroheshin të sigurta, thotë për Zërin e Amerikës Sarah Repucci me Freedom House.

“Qeveria ka ndaluar raportimin për disa tema, megjithatë gazetarët nuk arrijnë të raportojnë ose përpiqen të bëjnë raportime investigative për tema të tilla tabu si korrupsioni apo njerëzit me influencë.”

Disa vende, si Rusia, bllokojnë qasjen tek media e huaj në zonat nën kontrollin e tyre, në përpjekje për të imponuar variantin e tyre për zhvillime të mëdha, si përshembull përfshirja e Moskës në Ukrainën lindore. Raporti thotë se pjestarë të medias në mbarë botën refuzojnë të heshtin pavarësisht rreziqeve dhe frikës.

XS
SM
MD
LG