Lidhje

Personat me aftësi të kufizuara dhe Avokati i Popullit


Shoqatat dhe komunitetet e këtyre shoqërive shpresojnë shumë që, përfaqësuesi i tyre do të jetë ndihmësi kryesor i avokatit të popullit.

Personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri i kanë propozuar parlamentit shqiptar dy kandidatë për postin e zëvendësit të avokatit të popullit. Shoqatat dhe komunitetet e këtyre shoqërive shpresojnë shumë që, kur përfaqësuesi i tyre do të jetë ndihmësi kryesor i avokatit të popullit, atëherë do të rritet edhe ndjeshmëria e administratës ndaj problemeve të tyre.

Komunitete të gjera të personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri po presin me mjaft interesim që parlamenti të emërojë si komisioner zëvendësin e Avokatit të Popullit një nga dy kandidaturat e paraqitura prej rradhëve të tyre. Propozimi i Avokatit të Popullit, Igli Totozani, që zëvendësi i tij të jetë një jurist nga personat me aftësi të kufizuara, ka hyrë në procedurat e zakonshme parlamentare, dhe pas shqyrtimit të dy kandidaturave në komisione, parlamenti do të zgjedhë me votim njërin prej tyre.

Kjo nismë në dobi të grupimeve të diskriminuara u mirëprit nga këshilli kombëtar i personave me aftësi të kufizuar, i cili përfshin 5 organizata të ndryshme me mbi 150 mijë antarë.

Drejtuesi i këtij këshilli, profesor Sinan Tafaj, thotë se komunitetet e tyre si invalidët e punës, të verbërit, paraplegjikët, tetraplegjikët etj., janë më të përjashtuarit nga shoqëria, jetojnë në varfëri dhe në papunësi ekstreme. Bëhet fjalë për një numër të madh njerëzish, që nga organizatat botërore quhet edhe popullata me aftësi të kufizuara.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shifrat e popullsisë me aftësi të kufizuara përbëjnë nga 10 deri në 15 për qind të gjithë popullatës së çdo vendi. Persona me aftësi të kufizuara janë ata persona që nuk ushtrojnë dot funksionet e tyre vitale nga truri, shqisat apo gjymtyrët. Zoti Tafaj thotë se nisma e avokatit të popullit për të tërhequr vëmendjen e publikut te nevoja e kësaj shtrese për përfaqësim është edhe një mesazh se midis tyre ka shumë njerëz me vlera dhe aftësi të larta profesionale, që madje mund të punjnë më mirë dhe më me përgjegjësi se shumë zyrtarë të tjerë.

Sipas të dhënave të vetë shoqatave, invalidët e punës në Shqipëri janë rreth 58 mijë persona, para&tetraplegjikët janë mbi 5 mijë vetë, ata që nuk dëgjojnë janë rreth 60 mijë, të verbërit janë mbi 11 mijë persona, handikapatët mendorë janë rreth 40 mijë vetë; shifra që shkojnë në rreth 175 mijë banorë, por zyrtarisht ata që përfitojnë diçka nga shërbimet shtetërore përbëjnë rreth 150 mijë persona.

XS
SM
MD
LG