Lidhje

Siri, lufta civile përhapet në zona të reja


People run for cover from smoke after a shelling in the Karm al-Zeitoun area in Homs, Syria, March 12, 2012. (Reuters)
People run for cover from smoke after a shelling in the Karm al-Zeitoun area in Homs, Syria, March 12, 2012. (Reuters)

Rusia akuzon Perëndimin se po bën shantazh për një rezolutë të re që do të autorizonte përdorimin e forcës

Kryqi i Kuq Ndërkombëtar tha se në Siri, gjendja e luftës civile është përhapur në zona të reja të vendit. Ndërkohë, një grup vëzhguesish të Kombeve të Bashkuara vizitoi sot rrethinat e Damaskut, ku sipas aktivistëve ka patur luftime të ashpra. Turneu i sotëm i vëzhguesve vjen katër ditë para se të skadojë mandati i një misioni prej 300 vetash i OKB-së në Siri.

Në kryeqytetin Damask sot u njoftua për një ditë të dytë përleshjesh midis luftëtarëve të opozitës dhe forcave qeveritare siriane.

Aktivistët dhe banorët thonë se luftimet në disa lagje janë ndër më të rëndat që nga fillimi i kryengritjes kundër regjimit të presidentit Bashar Asad në mars të vitit të kaluar.

Muajt e fundit në Damask ka pasur përleshje sporadike edhe pse forcat e zotit Asad vazhdojnë të jenë në kontroll të kryeqytetit.

Shumë nga rrethinat e Damaskut janë ngritur kundër regjimit, duke shkaktuar reagimin e ashpër të ushtrisë, e cila është përpjekur të spastrojë nga luftëtarët rebelë qytetet e vogla që rrethojnë kryeqytetin.

Turneu i sotëm i vëzhguesve vjen katër ditë para se mandati i ekipit prej 300 vetash të OKB-së në Siri të skadojë më 20 korrik.

Misioni 90-ditor synon të mbikëqyrë ndërprerjen e dhunës dhe zbatimin e një plani të OKB për ndërmjetësimin e paqes.

Por, muajin e kaluar ekipit iu desh të tërhiqet nga zonat kryesore të konfliktit për shkak të shkallëzimit të luftimeve.

Dje ata bënë një vizitë të dytë në fshatin Tremseh, ku u njoftua për dhjetra të vrarë si pasojë e një ofensive të regjimit javën e kaluar.

Këshilli i Sigurimit po debaton ndërkohë një rezolutë të re në Siri, para se të skadojë mandati i misionit vëzhgues.

Sot, Rusia akuzoi Perëndimin se po bën shantazh për të siguruar një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit që do të autorizonte përdorimin e forcës në Siri.

Ministri i Jashtëm Sergej Lavrov tha se kërcënimet për ndërprerjen e misionit vëzhgues nëse Rusia nuk bie dakord të lejojë Perëndimin të përdorë forcën në Siri, përbën shantazh.
XS
SM
MD
LG