Lidhje

Sistemi i kontrollit të pasaportave


Hetimi i avionit malajzian i cili u zhduk të shtunën e kaluar ka ngritur shqetësime rreth sigurisë, sidomos meqë dy nga pasagjerët po udhëtonin me pasaporta të vjedhura.

Pasaporta e tij ishte në avionin e linjës Malaysia Airlines, por personi vetë nuk ishte.
Luigi Maraldi njofoi se i kishin vjedhur pasaportën dy vjet më parë. Informacioni iu shtua një arkivi ndërkombëtar të dhënash për 40 milion pasaporta të vjedhura ose të humbura, i cili monitorohet nga Interpoli. Por arkivi nuk ishte kontrolluar para se të nisej avioni që u zhduk të shtunën.

Në fakt, Interpoli thotë se udhëtarët në mbarë botën vitin e kaluar ishin në gjendje të hipnin avionë një miliard herë, pa i kontrolluar pasaportat e tyre kundrejt arkivit në fjalë.

Ligjvenësi Adam Schiff është një anëtar i lartë i Komisionit të Inteligjencës të Dhomës së Përfaqësuesve:

“Fakti që dy njerëz udhëtojnë me pasaporta të vjedhura në një fluturim të tillë dhe fakti që kjo praktikë nuk është e pazakontë tregon një problem të sistemit tonë të sigurisë.”

Dy pasaporta të vjedhura dhe fakte të tjera të paditura janë arsyet pse drejtori i CIA-s John Brennan nuk e ka përjashtuar mundësinë e terrorizmit.

“A ishin këta njerëz me pasaportat e vjedhura të përfshirë në ndonjë mënyrë?”

Arkivi i të dhënave është në dispozicion të 190 vendeve anëtare të Interpolit dhe do të lejohet edhe për të tjerët.

Shtetet e Bashkuara janë një nga kontribuesit më të mëdhenj, me tre milion të dhëna dhe nuk lejojnë hyrjen ose daljen nga vendi të udhëtarëve pa i kontrolluar emrat në listën e Interpolit. Por, Shawn Dray, drejtori i Interpolit në Uashington i tha Zërit të Amerikës se arkivi përdoret në mënyrë të kufizuar nga shumica e vendeve të tjera.

“Nganjëherë rregullat e rrepta të fshehtësisë mund të bëhen problem, nganjëherë diplomacia mes dy vendeve mund të jetë problem, ose çështjet politike. Por nëse analizoni Interpolin dhe shërbimet që ofron, këto shërbime duhet të shtohen dhe të përmirësohen.”

Analisiti i çështjeve të aviacionit Vahid Motevalli, thotë se madhësia e arkivit të të dhënave po ashtu është problem.

“Nganjëherë pasaportat raportohen të vjedhura dhe mbase janë të humbura dhe pastaj gjenden. Por ka një çmim dhe nevojitet kohë për këto kontrolle dhe mbase prandaj nuk përdoret shumë.”

Arkivi i të dhënave i Interpolit u krijua në vitin 2002, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara, me shpresën se do të ndihmonte të parandalonte të tjera sulme.

Por siç thotë drejtori i CIA-s zoti Brennan, ka shumë rrethana të dyshimta rreth rastit të avionit të linjës Malaysia Airlines për të ditur se çfarë ndodhi në të vërtetë.
XS
SM
MD
LG