Lidhje

Fjalimi mbi gjendjen e vendit dhe politika e jashtme


Anketat tregojnë se popullariteti i Presidentit Obama po përmirësohet si rezultat i përmirësimit të ekonomisë dhe uljes së ritmeve të papunësisë. Si rrjedhojë, presidenti do të përqëndrohet tek sukseset në vend në fjalimin e tij drejtuar vendit të martën. Por analistët thonë se sulmet terroriste në Paris dhe shqetësimi për ekstremizëm do ta bëjnë të nevojshëm edhe diskutimin e politikës së jashtme.

Ndërsa afron dita për fjalimin mbi gjendjen e vendit, presidenti është përqëndruar në sukseset në planin e brendshëm. Ai ka bërë vizita në pika të ndryshme në Shtetet e Bashkuara, duke prezantuar programe dhe nisma për krijimin e vendeve të punës, strehimin, sigurinë kibernetike dhe arsimin.

Por sulmet terroriste në Francë janë një dëshmi e zymtë se lufta kundër ekstremizmit nuk ka përfunduar dhe mbetet në krye të prioriteteve globale për presidentin.

“Në rrugët e Parisit, bota pa edhe këtë radhë se çfarë përfaqëson terrorizmi. Ata nuk mund të ofrojnë asgjë përveç urrejtjes dhe vuajtjeve njerëzore. Ne përfaqësojmë lirinë, shpresën dhe dinjitetin njerëzor. Pikërisht këtë përfaqëson Parisi për botën dhe ky ideal do të mbijetojë për shumë kohë pasi njolla e terrorizmit të jetë fashitur nga bota”.

Zoti Obama filloi vjet fushatën e bombardimeve ajrore dhe dërgoi trupa amerikane për të ndihmuar në luftën kundër ISIS. Por kjo luftë, ka thënë presidenti, do të vazhdojë për vite me radhë. Pritet që presidenti të përqëndrohet më së shumti në përpjekjet e tij për të mos lejuar që Irani të prodhojë armë bërthamore.

Analisti Larry Korb, i cili ka punuar si këshilltar për politikën e jashtme për zotin Obama gjatë fushatës presidenciale, thotë se presidenti e sheh më të arsyeshme të përqëndrohet në politikat e brendshme se sa ato të jashtme.

“Ai do t’i diskutojë këto çështje, por mendoj se ai e kupton që duhet të forcojmë situatën e brendshme, para se të forcojmë rolin global”.

Marrëdhëniet me Rusinë kanë qenë të acaruara që pas ndërhyrjes ruse në Ukrainë, por nuk pritet që presidenti t’u kushtojë shumë kohë përpjekjeve të administratës për të përmirësuar një marrëdhënie shumë komplekse. Kjo u bë e qartë të mërkurën kur rusët ndihmuan astronautët amerikanë gjatë një situate emergjente në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

“Të gjithë revoltohen për rolin rus në Ukrainë. Por cilët ishin ata që i shpëtuan astronautët tanë në hapësirë? Rusët! Ata ndihmojnë në transportin e furnizimeve në Afganistan. Dakord, jemi të revoltuar nga situata në Ukrainë, por nuk mund të dalim me një strategji anti-ruse. Ne kemi nevojë për rusët dhe duhet të punojmë me ta në një numër fushash”.

Ndër sukseset në politikën e jashtme që mund të nënvizojë zoti Obama janë marrëveshja me Kinën për ndryshimet klimatike dhe dislokimi i qindra ushtarëve amerikanë në Afrikë në përpjekjet kundër Ebolës.

XS
SM
MD
LG