Lidhje

Tiranë: Reforma e drejtësisë shkon sërish në Venecia


Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën në sistemin e drejtësisë vendosi sot të dërgojë në komision e Venecias projektin e përmirësuar të ndryshimeve kushtetuese për këtë reformë nga ekspertët e nivelit të lartë.

Reforma e drejtesise serisht ne Venecia
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:02 0:00

Së bashku me projektin e ekspertëve për ndryshimet kushtetuese në Komisionin e Venecias do të dërgohen edhe opinionet dhe propozimet e ndryshme nga Partia Demokratike dhe ajo Lëvizja Socialiste për Integrim.

Komisioni i reformës zhvilloi sot një mbledhje disaorëshe, ku të gjitha palët shprehën vullnetin për mirëkuptim, por palët mbajtën fjalime plot mosbesim ndaj njëra tjetrës për reformën në drejtësi.

Në fund vendosën që të dërgojnë në komisionin e Venecias projektin e ekspertëve të nivelit të lartë së bashku me opinionet e opozitës dhe LSI-së.

Deputetët përfaqësues të partisë Demokratike shprehën shqetësimin se në projektin e rishikuar nuk janë ndjekur rekomandimet që Komisioni i Venecias bëri mbi variantin e parë.

Deputeti Oerd Bylykbashi tha se socialistët po përpiqen të zgjerojnë kapjen e sistemit gjyqësor nga kryeministri dhe nga shumica.

Por, tha ai, Komisioni i Venecias kërkoi që gjithçka të miratohet me mirëkuptim mes palëve sa i takon pavarësisë dhe profesionalizmit të gjyqësorit si dhe thjeshtimit të institucioneve të tij.

Edhe Lëvizja Socialiste për Integrim këmbënguli që opinioni dhe propozimet e saj të riformuluara sipas kërkesave të Venecias të ridërgohen në atë komision së bashku me projektin e rishikuar të ekspertëve dhe të maxhorancës.

Deputeti i LSI, Spartak Braho, tha se partia e tij kërkon ndryshime minimaliste dhe me mirëkuptim të kushtetutës.

Ai tha se projekti ndryshon 57 nene nga 183 që ka gjithsej Kushtetuta, gati një e treta, ndërkohë që kërkohej edhe reduktimi i institucioneve të reja në gjyqësor.

LSI mendon që ndryshimet e propozuara duhet të gjejnë pjesëmarrjen dhe miratimin e të gjithë aktorëve politikë.

Ashtu si LSI edhe Partia Socialiste vlerësoi dialogun e përkushtuar të të gjitha palëve.

Drejtuesi i komisionit Fatmir Xhafa, ftoi palët për mirëkuptim, duke hedhur poshtë komentet se shumica po përpiqet të kapë institucionet e drejtësisë.

Pas mbledhjes opozita deklaroi më pas kryeministri rrëzoi kërkesën e opozitës për hartimin e një drafti të vetëm konsensual sipas Komisionit të Venecias për Reformën në Drejtësi, dhe të mos shkonin në Venecia të ndarë.

Partia Demokratike tha se qeveria po dërgon në Venecia një draft të vetin, jo transparent, që injoron rekomandimet e Venecias, dhe kërkesën e saj për konsesusit sipas standardeve të Venecias.

Opozita do të dërgojë qëndrimin e saj në komisionin e Venecias me pikëpamjet e saj për reformën në drejtësi, duke shmangur kapjen politike të sistemit gjyqësor.

XS
SM
MD
LG