Lidhje

Kryengritësit islamik pushtojnë një spital sirian


Militantët që kanë shënuar përparime ditëve të fundit në disa zona në Siri dhe Irak, morën nën kontroll një spital në një nga fortesat e fundit qeveritare në krahinë e Idlibit në Siri

Kryengritësit islamik kanë vazhduar përparimet në veriun e Sirisë, ku të premten morën një spital ku forcat qeveritare po mbaheshin të rrethuara për disa javë.

Vëzhguesit Sirian për të Drejtat e Njeriut thane se organizata Al-Nusra e lidhur me Al-Qaidan morën “nën kontroll të plotë” spitalin në periferi të Jisr al-Shughour.

Duzina ushtarësh qeveritarë dhe të tjerë kishin mbetur të bllokuar në spital që nga fundi i muajit prill. Fati i tyre është i panjohur, ndonëse Al-Nusra shkroi në twitter se ushtarët janë ndjekur prej andej.

Al-Nusra mori nën kontroll muajin e kaluar qytetin Jisr al-Shughour, një nga qendrat e fundit qeveritare në krahinën e Idlibit.

Forcat e presidentit Bashar al-Assad, përjetuan një sërë humbjesh nga kryengritësit e Shtetit Islamik gjatë ditëve të fundit.

Grupi Shteti Islamik dëboi forcat qeveritare nga qyteti i lashtë Palmira, duke rrezikuar shkatërrimin e artefakteve dy mijë vjeçare.

Palmira është zonë e trashëgimisë botërore e mbrojtur nga UNESCO dhe shefja e kësaj agjencie, të Kombeve të Bashkuara, Irina Bokova, e cilësoi atë “vendlindje të qytetërimit”. Nëse luftëtarët e Shtetit Islamik shkatërrojnë antikat, kjo do të ishte “një humbje e jashtëzakonshme për njerëzimin”, tha ajo.

Militantët i cilësojnë shtatoret dhe antikat tjera si “blasfemuese”. Ata u dënuan nga komuniteti ndërkombëtarë më herët gjatë këtij viti kur përdorën edhe buldozerët në zonën historike në qytetin irakian të Nimrudit dhe shkatërruan idhuj të paçmueshëm në Mosul.

Më fitoret e fundit të islamistëve, vëzhguesit sirian thanë se qeveria e Sirisë kontrollon tani më pak se gjysmën e vendit.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Marie Harf, tha të enjten se Shtetet e Bashkuara nuk pajtohen më këto vlerësime. Ajo mbrojti edhe fushatën amerikane për të thyer grupi Shteti Islamik, ndërkohë që janë shtuar zërat nga disa ligjvënës amerikan për të forcimin e përpjekjeve.

Në një intervistë për revistën The Atlantic, presidenti Barack Obama e cilësoi rënien e qytetit strategjik irakian Ramadi në duart e militantëve të Shtetit Islamik si një “tërheqje taktike”. Ai tha se Ramadi ishte i cenueshëm sepse po mbrohej nga irakianët që ende nuk ishin stërvitur nga forcat amerikane.

Presidenti tha se derisa Shtetet e bashkuara do të vazhdojnë t’u japin irakianëve tërë ndihmën e nevojshme për mbrojtjen e vendit, Washingtoni “nuk mund ta bëjë këtë për ta”.

Çështja më e rëndësishme është: si të gjejmë partnerët efektiv – jo vetëm në Irak, por edhe në Siri, në Jemen dhe në Libi, me të cilët mund të punojmë dhe si të krijojmë koalicionin ndërkombëtar dhe mjedisin në të cilin njerëzit përtej vijave sektare do të kenë vullnet për kompromis dhe të punojnë së bashku për t’u siguruar gjeneratave të ardhshme një mundësi për një të ardhme më të mirë”, tha ai.

Zëdhënësi i Pentagonit, koloneli Steve Warren, tha të enjten se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë në Irak dy mijë raketa kundër tankiste, për të ndihmuar forcat irakiane që të përballen me kërcënimin nga sulmet vetëvrasëse me auto-bomba.

XS
SM
MD
LG