Lidhje

Refugjatët sirianë në Liban përballë dimrit të ashpër


Një ndër stuhitë më të forta dimërore që kanë goditur Lindjen e Mesme prej dekadash ka detyruar qindra mijëra refugjatë që jetojnë në barraka apo tenda në rrugët e Bejrutit, të dynden në zonat malore dhe rurale për të kërkuar ngrohje.

Mes tendave të mbuluara me borë në këtë kamp refugjatësh, banorët angazhohen përditë në betejën për mbijetesë. Mbi një milion vetë janë larguar nga Siria për në Liban për t’i shpëtuar luftës dhe tani ndeshen me një tjetër kërcënim ndaj jetës. Në rajonin Beka të Libanit dimri i ashpër ka sjellë ngrica dhe temperatura të rrezikshme. Disa banorë të kampit kanë vdekur nga moti i keq.

Fatmi Zakour, së cilës iu vra bashkëshorti në luftën e Sirisë, shqetësohet për fatin e tre fëmijëve:

“Jetonim në një shtëpi, ishin shumë të lumtur atje. Tani gjithçka ka ndryshuar. Burri është vrarë dhe kam dy fëmijë fizikisht të paaftë. Vajza e madhe ka probleme me zemrën. Çdo gjë ka ndryshuar. Tani jetojmë në një tendë”.

Për Fatmin dhe familjen e saj janë ofruar disa ndihma. Pas stuhisë së fundit, qeveria libaneze me ndihmën e organizatave joqeveritare dërgoi mjekë për të ndihmuar familjet që ndodhen në kushtet më minimale të strehimit. Por situata është mjaft e vështirë duke pasur parasysh se vetëm në rajonin e Bekas ka të paktën 400 mijë refugjatë.

“Ishte e përballueshme deri në një farë mase. Por nuk pritej që të kishte një dimër të tillë, ku refugjatët nuk kanë si të gjejnë mënyra për t’u ngrohur. Në kamp ka familje me fëmijë të vegjël si dhe të moshuar, prandaj duhet të shkojmë në çdo tendë t’u ofrojmë ndihmë. E kishin të pamundur të dilnin nga tenda për ndihmë, pasi gjithçka u ndërpre: uji, rrugët, energjia elektrike”.

Në një tjetër kamp, një ndër 1400 kampe të ngritura në Liban, situata është po aq e rëndë. Për shumë banorë ky nuk është dimri i parë që kalojnë në çadra. Si rezultat, problemet e shëndetit janë të pashmangshme. Banorët vuajnë sëmundje infektive dhe të rrugëve të frymarrjes, ndërsa ata me sëmundje kronike janë keqësuar.

Përveç ndihmës mjekësore, furnizimi i mjaftueshëm ushqimor dhe ngrohja e mjedisit mund t’u shpëtojnë jetën shumë banorëve. UNICEF-i është angazhuar në këtë kamp në bashkëpunim me organizata si Beyond Association për të ndihmuar pajisjen e fëmijëve me veshmbathje. Në këto rrethana të rënda, janë shtuar edhe thirrjet që komuniteti ndërkombëtar të bëjë më shumë për të ndihmuar familjet në nevojë:

“Vitin e kaluar kishim më shumë fonde për t’i ndihmuar refugjatët se sa sivjet. Këtë vit edhe vetë agjencitë e OKB-së nuk kanë fonde”.

Për banorët në kampe shpresa vdes e fundit.

XS
SM
MD
LG