Lidhje

Kerry: SHBA dhe partnerët po shqyrtojnë disa propozime për Sirinë


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry i dha fund të hënën një vizite 20-orëshe në Gjenevë. Ai tha se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre janë duke diskutuar "disa propozime", për t'i dhënë fund dhunës në rritje në Siri.

Zoti Kerry nuk dha hollësi lidhur me këto propozime, por synimi i tij ka qenë rikthimi i një armëpushimi të pjesshëm dhe ndalja e sulmeve të forcave qeveritare me mbështetjen e Rusisë. Vetëm gjatë 11 ditëve të fundit më tepër se 250 persona janë vrarë në Siri, në qytetin e Alepos.

Agjencitë e lajmeve cituan zyrtarë amerikanë të kenë thënë në kushtet e anonomitetit, se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë krijimin e "zonave të sigurta", ku do t'u sigurohej mbrojtje civilëve dhe anëtarëve të moderuar të opzitës siriane.

Në Gjenevë, Sekretari Kerry e dënoi ashpër sulmin ndaj spitalit në qytetin e Alepos, për të cilin janë akuzuar forcat qeveritare siriane. Forcat qeveritare ka një javë që bombardojnë qytetin e Aleppos, që është nën kontrollin e rebelëve.

Zoti Kerry tha se është përparësi që t’i jepet fund dhunës në Aleppo. Shumica e viktimave janë civilë. Në qendër të sulmeve po ashtu kanë qenë spitalet dhe qendrat mjekësore. Javën e kaluar, një sulm vdekjeprurës me bombë në një spital të mbështetur nga Organizata Mjekët pa Kufij shkaktoi protesta. Por megjithatë, sulmet ajrore kanë vazhduar pa pushim:

"Këtu në qendër ka shumë klinika, përfshirë atë dentare, të grave, të fëmijëve dhe të sëmundjeve të brendshme. Ka edhe një farmaci. Ajo u bë objekt sulmi dhe tani është plotësisht jashtë përdorimit, deri sa ta meremetojmë,”thotë ky banor.

Duke folur përkrah me homologun e tij jordanez të dielën, Sekretari i Shtetit John Kerry i bëri thirrje Rusisë të ndihmojë për vendosjen e qetësisë:

“Në këto orë kritike, ne kërkojmë bashkëpunimin e Rusisë, që regjimi sirian të dëgjojë Moskën dhe t’i përgjigjet deklaratës së fuqishme të komunitetit ndërkombëtar përmes Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.

Zyrtarët e qeverisë së presidentit Assad thonë se ata i drejtojnë sulmet ndaj terroristëve të Frontit al-Nusra, të cilët kanë kryer sulme me raketa dhe artileri ndaj rajoneve nën kontrollin e qeverisë.

Zyrtarët amerikanë i kanë hedhur poshtë këtë thënie si të pavërteta, duke shtuar se sulmet kryesisht kanë vënë në shënjesëtr civilë të pafajshëm dhe grupe të moderuara, duke shkelur armëpushimin.

Dje Papa Françesku i bëri thirrje palëve në konflikt që t’i kthehen dialogut, si rruga e vetme drejt paqes:

"Ndjej dhimbje të thellë që marr këto lajme tragjike nga Siria, lidhur me shtimin e dhunës që vazhdon të keqësojë situatën tashmë të dëshpëruar humanitare në atë vend, veçanërisht në qytetin Aleppo, duke u marrë jetën viktimave të pafajshme, edhe fëmijë; për të pamundurit dhe ata që me sakrificë të madhe po bëjnë përpjekje t’i ndihmojnë të tjerët,”, - tha Papa.

Përpjekjet më të fundit të paqes janë duke u minuar nga mungesa në takimin e Gjenevës e Ministrit të Jashtë rus Sergei Lavrov.

XS
SM
MD
LG