Lidhje

Plan i ri për Sirinë


Fuqitë botërore kanë rënë dakord mbi një plan për t’i dhënë fund armiqësive në Siri, por pa arritur një marrëveshje për armëpushim, një veprim që kërkohet nga opozita siriane për t'i dhënë fund sulmeve ajrore ruse ndaj rajonave të kontrolluara nga rebelët në Alepo. Ministrat e jashtëm të Grupit Ndërkombëtar për Sirinë, gjatë bisedimeve në Munih të Gjermanisë, gjithashtu ranë dakord për shtimin e ndihmave humanitare.

Pas një sërë takimesh dypalëshe, Grupi Ndërkombëtar për Sirinë hartoi një plan për një "ndërprerje të armiqësive" që pritet të hyjë në fuqi pas një jave.

"Është një plan ambicioz, por të gjithë janë të vendosur të lëvizin sa më shpejt që të jetë e mundur për ta realizuar këtë", tha Sekretari i Shtetit, John Kerry.

Në një konferencë për shtyp me homologun e tij rus dhe të dërguarin e posaçëm të OKB-së për Sirinë, Sekretari Kerry tha se një marrëveshje armëpushimi do të duhej të kishte fuqi ligjore të cilat nuk është e nevojshme të zbatohen në marrëveshjen për ndërprerjen e armiqësive.

Grupi tha gjithashtu se marrëvesja nuk është e vlefshme për organizatat terroriste, disa prej të cilave, Rusia thotë se veprojnë në afërsi të qytetit të rrethuar të Alepos.

"Periferitë perëndimore të Alepos janë ende nën kontrollin e grupeve Jabhat al-Nusra, Jaish al Islam dhe Ahrar Islamit", tha Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov

Grupi u pajtua për të zgjeruar përpjekjet për shtimin e ndihmave në Siri, ku kriza humanitare është përkeqësuar si rezultat i bombardimeve të qeverisë siriane të mbështetura nga forcat ruse në Alepo, që kanë detyruar mijëra civilë të largohen drejt kufirit turk.

Disa analistë thonë se duhet të bëhet më shumë.

"Mendoj se çështja e krijimit të zonave të sigurta në Siri duhet të vazhdojë të jetë pjesë e diskutimeve ose të kthehet në tryezë e bisedimeve. Turqia tani ka mbi dy milionë refugjatë nga Siria", thotë Paul Salem i Insititutit të Lindjes së Mesme.

Disa fuqi botërore nuk e kanë pritur mirë idenë e krijimit të zonave të sigurta. Grupi Ndërkombëtar për Sirinë ka rënë dakord të mbledh një grup pune që do të punojnë për të siguruar një qasje më të madhe humanitare për ata që kanë nevojë.

XS
SM
MD
LG