Lidhje

Lavrov: Armëpushimi në Siri, çështje orësh


Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha sot se brenda disa orësh do të njoftohet armëpushimi, që do t’i jepte fund luftimeve mes rebelëve dhe forcave qeveritare në qytetin Aleppo të Sirisë, edhe pse në përleshjet më të fundit u vranë të paktën 14 persona.

Diplomati rus u takua në Moskë me të dërguarin e OKB-së Staffan de Mistura dhe pas takimit i tha gazetarëve se kishte shpresë se mund të arrihet një marrëveshje armëpushimi “në të ardhmen e afërt, madje në orët e ardhshme.”

Në negociata, zoti Lavrov i bëri thirrje zyrtarëve amerikanë që të ushtrojnë presion ndaj rebelëve të moderuar, që të largohnen nga territoret e pushtuara nga luftëtarët e Shtetit Islamik dhe nga xhihadistët e Fronitit al-Nusra.

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia e mbështetën bashkarisht armëpushimin e arritur në muajin shkurt, në përpjekje për t’i dhënë fund 5 viteve me luftime, por javët e fundit armëpushimi u shkel sidomos në Aleppo, ku që nga 22 prilli janë vrarë në luftime mbi 270 persona.

Në fillim të takimit të tij me de Mistura-n, zoti Lavrov tha se Russia dhe SHBA po bashkëpunojnë për ta fuqizuar armëpushimin. Zyra e zotit Lavrov tha se situata ishe diskutuar në një telefonatë me sekretarin e Shtetit John Kerry dhe se të dy ata i bënë thirrje palëve ta respektojnë rigorozisht armëpushimin.

Biseda telefonike u zhvillua pas takimit të zotit Kerry me de Mistura-n në Gjenevë, ku ai tha se SHBA dhe partnerët janë duke diskutuar disa propozime për t’i dhënë fund dhunës në Siri. Por sekretari Kerry nuk dha hollësi lidhur me këto propozime.

Sipas disa agjensive të lajmeve, SHBA po shqyrton mundësinë e përcaktimit të “zonave të sigurta”, të cilat do të shërbenin si mbrojtje për civilët dhe opozitën e moderuar.

XS
SM
MD
LG