Lidhje

Raund i ri i bisedimesh për Sirinë


Ndërsa diplomatët punojnë për të përgatitur një raund të ri bisedimesh për paqen në Siri, që fillojnë nesër në Gjenevë, situata në terren po bëhet përherë e më e dhunshme. Forcat qeveritare dhe aleatët e tyre kanë zhvilluar përleshje me luftëtarët e opozitës në Aleppo, ndërsa sulmet ajrore siriane kanë bombarduar rajonet nën kontrollin e forcave rebele në provincën e Homsit.

Ushtria siriane, me mbështetjen e forcave ajrore ruse, ka rrethuar qytetin e Aleppos, që mbahet nga rebelët. Luftimet e ashpëra nga të dyja palët përbëjnë shkelje të marrëveshjes së 27 shkurtit. Ato fajësojnë njëra tjetërn për prishjen e marrëveshjes.

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje palëve rivale t’i përqëndrojnë përpjekjet e tyre tek lufta kundër grupeve terroriste.

"Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry në fakt i shprehu shqetësim Ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe ata po ashtu diskutuan që në ditët e ardhshme të bëhet çdo përpjekje e mundshme për ta bërë të qëndrueshëm armëpushimin. Kjo përfshin pëcaktimin e vendndodhjes së grupeve të ndryshme të luftimeve dhe për t’u siguruar që t’i përqëndrojmë përpjekjet tona tek Daeshi dhe tek Fronti al Nusra, që nuk janë bërë pjesë e marrëveshjes për ndalimin e luftimeve”, thotë Mark Toner, zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Sirinë po takohet me palët e interesuara në rajon, në përgatitje për bisedimet e kësaj jave në Gjenevë.

"Bisedimet e Gjenevës në fazën e ardhshme janë tepër të rëndësishme, sepse ne do të përqëndrohemi në veçanti tek tranzicioni politik, qeverisja dhe parimet kushtetuese”, thotë Staffan De Mistura, i dërguari i OKB-së në Siri.

Siria po përgatitet për zgjedhjet parlamentare të mërkurën.

"Numri i madh i kandidatëve në këto zgjedhje tregon se një numër më i madh sirianësh po duan të marrin pjesë në politikë. Të gjithë duan të gjejnë një rrugë për progres politik”, thotë analisti Mohammad Alomari, analist politik.

Mbështetja e Rusisë për Presidentin Bashar al-Assad i ndërlikon bisedimet, ngaqë opozita këmbëngul se Assadi nuk mund të luajë rol në një qeveri tranzicioni.

"Ne po punojmë për vendosjen e një rendi demokratik, pluralist, civil, ku të gjithë të kenë të drejta dhe detyra të barabarta; ku të mos ketë ndryshime mes qytetarëve, përsa i përket kombësisë, cilit grupim i takon dhe as përsa i përket besimit”, thotë një nga këta përfaqësues.

Por qeveria është e paepur në qëndrimin e saj, se në një shoqëri të tillë demokratike, njerëzit kanë të drejtën të vendosin përmes zgjedhjeve në se duan që Assadi të jetë presidenti i tyre, ose jo.

XS
SM
MD
LG