Lidhje

Të shurdhër në Hollivud


Arritja e suksesit në Hollivud është e vështirë. Për aktorët me aftësi të kufizuara si për shembull ata që kanë humbur dëgjimin, është edhe më e vështirë ndërsa rolet për ta janë të pakta. Producentja e Zërit të Amerikës Deyane Moses njofton nga Los Anxheles rreth një organizate për të drejtat civile e cila po feston arritjet e artistëve të shurdhër në Hollivud, që kanë hapur rrugën edhe për të tjerët.

Natasha Ofili ka ndjekur lëvizjet e gojës së njerëzve tërë jetën e saj:

“Linda me dëgjim normal. Pastaj kalova një temperaturë të lartë kur isha 18 muajshe dhe e humba atë aftësi.”

Ofili, një stiliste mode e arrirë dhe aktore aspiruese, shpreson se fotot e saj do të vihen re nga regjizorët.

Kohët e fundit, Ofili mori një rol protagonist në filmin me metrazh të shkurtër “Words Not Spoken.” Ajo shpreson se ky është vetëm fillimi.

“Për mua, është si arti. Siç është moda art. Dhe kur fillova aktrimin ishte shumë prekëse – historia e lidhur me personazhin. Më tërhoqi,” thotë ajo.

Seriali popullor për adoleshentë Switched at Birth është një nga më të preferuarit të Ofilit. Në të, Constance Marie luan rolin e një mamaje të një vajze të shurdhër. Asaj iu desh të mësonte Gjuhën Amerikane të Shenjave për këtë rol dhe e mësoi brenda tre javësh.

“Puna me aktorë me aftësi të kufizuar është njësoj si puna me aktorë të tjerë. Por sikur më bëri të njoh një botë tjetër, botën e komunitetit të shurdh-memecëve. Dhe në emisionin tonë ka njerëz me aftësi të kufizuara, edhe nga etni të ndryshme. Është shumë ndryshe, një portretizim se si duhet të tregohet shoqëria në televizion,” thotë aktorja.

Shumë aktorë thonë se diversiteti në këtë serial nuk reflekton realisht Hollivudin. Ka një numër aktorësh të shurdhër që punojnë, por në role dytësor.

Një nga aktoret më të famshme dhe të admiruara në komunitetin e të shurdhërve është fituesja e një çmimi Oscar Marlee Matlin. Shoqata Kombëtare e të Shurdhërve, e nderoi atë kohët e fundit me një çmim. Shefi ekzekutiv i shoqatës, Howard Rosenblum, shpjegon arsyen.

“Ajo theu barriera dhe stereotipe. Njerëzit të cilët shohin dhe dëgjojnë të shurdhërit mendojnë “Oh! Ata nuk mund të bëjnë asgjë.” Megjithatë, ajo na tregoi se ne mund të kërcejmë dhe të aktrojmë. Ne mund të mbledhim një milion dollarë në një natë. Dhe këtë po bën Marlee Matlin dhe vazhdon ta bëjë.”

E themeluar në vitin 1880, kjo është organizata më e vjetër për të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara. Këtë vit, ajo sponsorizoi ceremoninë e parë për çmimet për nder të artistëve të shurdhër në Hollivud dhe ata që mbështesin komunitetin e tyre. Nëpërmjet një përkthyesi, Matlin tha se është bërë përparim por mund të arrihet më shumë.

“Mund të bëjmë çdo gjë, përveç të dëgjuarit. Do të doja të shihja më shumë krijimtari nga ana e të gjithëve që janë të angazhuar në procesin krijues. Përfshi regjizorët, producentët dhe shkrimtarët. Kam parë përparime tek-tuk por mendoj se ende nuk janë të mjaftueshme,” thotë Marlee Matlin.

Artistët e shurdhër, si Ofili, e respektojnë punën e Marlee Matlin në komunitet dhe ekran. Ata thonë se janë optimistë se shfaqje si seriali Switched at Birth, janë shenja pozitive.
XS
SM
MD
LG