Lidhje

Tartarët e Krimesë pas aneksimit rus


Po shtohen shqetësimet për të ardhmen e tartarëve të Krimesë, pas aneksimit të këtij gadishulli ukrainas nga Rusia në fillim të vitit. Megjithë premtimet për trajtim më të mirë, udhëheqësit e tartarëve thonë se komuniteti i tyre po ndeshet me persekutim.

Tartarët e Krimesë janë bërë objekt sulmesh. Gjatë javëve të fundit, forca sigurie me maska bastisën Mexhlisin, apo asamblenë e tartarëve të Krimesë.

Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut Nils Muiznieks vizitoi kohët e fundit Krimenë dhe u shpreh i alarmuar:

“Synimi i personave që kryen bastisjen ishte të gjenin armë apo literaturë të ashtu-quajtur ekstremiste. Tartarët e Krimesë nuk kanë histori dhune apo ekstremizmi prandaj këto akte janë plotësisht të pabaza dhe duhet të ndalin”.

Nuk është vetëm problemi i bastisjeve, por edhe i zhdukjeve. Më shumë se 12 aktivistë tartarë janë zhdukur që nga aneksimi. Ish-kryetari i Asamblesë, Mustafa Djemilev:“Organet e pushtetit thonë: ‘Nuk dimë ku janë’. Përgjithësisht, ata që zhduken, nuk gjenden më”.

Një ndër të zhdukurit, Edem Asanov, u gjet i vdekur më 6 tetor. Zoti Djemilev thotë se vrasja kishte motive politike.

“Ata kanë dy synime: të eliminojnë tartarët më aktivë dhe gjithashtu të ushtrojnë presion dhe frikë në popullatë, në mënyrë që të mos ngrihen për të mbrojtur të drejtat”.

Tartarët e Krimesë janë myslimanë dhe përbëjnë një pakicë në rajon. Ata ishin kundër aneksimit të rajonit nga Rusia këtë vit. Si rezultat i deportimeve masive gjatë periudhës sovjetike, tartarët nuk i zënë besë Moskës.

Zyrtarët rusë në Uashington nuk dhanë komente për këtë kronikë. Por Presidenti Vladimir Putin ka reaguar në përgjigje të këtyre shqetësimeve, duke folur për rehabilitim të tartarëve të Krimesë, pak pas aneksimit të gadishullit.

Mijëra tartarë janë larguar që pas aneksimit, duke u vendosur në perëndim të vendit. Ata që mbeten në Krime dhe që duan të mbrojnë vendlindjen e tyre, po bëjnë thirrje për presion më të fortë nga Perëndimi në përgjigje të atyre që i quajnë “raprezalje politike ruse”.

XS
SM
MD
LG