Lidhje

Të miturit në mes të emigrantëve afrikanë


Ndër mijëra emigrantë që marrin udhëtimin e rrezikshëm me anije drejt Evropës ka plot djem e vajza në moshë të vogël. Disa janë dërguar nga të afërmit për të fituar para. Të tjerët kanë mbetur jetimë ose përpiqen t’i shpëtojnë luftës. Korrespondenti Henry Ridgewell ka përshkuar itinerarin e disa emigrantëve dhe njofton nga qyteti i vogël siçilian i Caltagirones.

Në këtë shtëpi të vjetër në malet e Siçilisë strehohen disa nga refugjatët më të traumatizuar që mbërrijnë në brigjet e Italisë.

Zyrtarisht ata njihen si të mitur të pashoqëruar nga të rritur. Të gjithë djemtë që strehohen këtu kanë kaluar Mesdheun vetëm, pa prind apo të afërm. Në përputhje me ligjin italian, atyre nuk mund t’ua nxjerrim fytyrat në televizor.

Alassane e filloi udhëtimin në mes të dimrit. Ai thotë se 15 vetë vdiqën në anije:

“Shoku im më vdiq në krahë, nga që ishte shumë ftohtë. Ai s’kishte ngrënë gjë. Anija jonë kishte humbur në det të hapur”.

17-vjeçari Wata Ali nga Bregu i Fildishtë mbeti jetim në moshë të vogël. Ai dhe vëllai i madh u endën për të gjetur punë, fillimisht në Burkina Faso e më pas në Libi, ku u përfshinë në luftën civile.

“Vëllai dilte çdo ditë për të gjetur punë. Kthehej në shtëpi për të ngrënë dhe dilte përsëri. Një ditë nuk u kthye më. Unë bashkë me një shok vendosëm të vijmë në Itali. Kursyem paratë dhe erdhëm me anije”.

Daniele Cutugno drejton qendrën e refugjatëve në qytezën Caltagirone.

“Kur djemtë mbërrijnë këtu, janë në gjendje të rëndë psikologjike sepse janë të traumatizuar. Kanë kaluar nëpër Libi ku kanë parë dhunë ekstreme. Kur ndodhen përballë rrezikut të jetës, vendosin të nisen me anije drejt vendeve ku kanë mundësi të mbijetojnë”.

Për shumë djem, zoti Cutugno ka marrë rolin e babait.

“Shumë pak prej tyre e dinë se ç’duan të bëjnë më pas. Duke folur me ta fillon të kuptosh çfarë dëshirash kanë – të bëhen futbollistë, të studiojnë, të punojnë për të ndihmuar prindërit në vendet e tyre. Por në shumë raste prindërit e vëllezërit u kanë vdekur”.

Ata ëndërrojnë të luajnë futboll për Barcelonën apo Çelsin. Por me shumë dëshirë do të pranonin çdo mundësi për punë.

Këtu djemtë janë të lirë të hyjnë e dalin nga qendra si të duan. Por shumë prej tyre preferojnë të rrinë me shpresën se qeveria italiane do t’i rivendosë diku ku mund të ndërtojnë jetën.

Shydou nga Gambia shprehet shumë mirënjohës për ndihmën, por mezi pret të largohet:

“Kam katër muaj që qëndroj në këtë kamp. Falenderoj Zotin. Por do të doja të largohesha nga kampi, të integrohem në një komunitet ku të mund të ndërtoj të ardhmen”.

Statusi i këtyre djemve si të mitur të pashoqëruar nga prindër u jep një mundësi më të mirë të qëndrojnë në Evropë. Por deri kur të merret vendimi, ata kanë një strehë të sigurtë dhe mundësinë për një ndalesë të shkurtër në rrugëtimin e gjatë drejt një jete më të mirë.

XS
SM
MD
LG