Lidhje

Teknologji e re për avatarë


Përdoruesit e medias sociale dhe emailit shpesh gjejnë mënyra për të përfaqësuar veten përmes fotografish apo imazhesh dixhitale. Këto imaxhe dy dimensionale shumë shpejt mund të zëvendësohen nga avatarë 3-dimensionalë të përdoruesve. Shkencëtarët në Institutin për Teknologji Krijuese pranë Univeristetit të Kalifornisë së Jugut po punojnë për teknologji me kosto të ulët që mund të revolucionarizojnë median sociale.

Imagjinoni që fotografi dhe avatarë dy dimensionalë në median sociale të zëvendësohen nga avatarë tre-dimensionalë të përdoruesit. Kjo teknologji është në zhvillim, thotë shkencëtari Ari Shapiro:

“Më entuziazmon fakti që kjo teknologji po bëhet realitet. Së shpejti shumë njerëz do të kenë mundësi të krijojnë modele vetjake, brenda një kohe fare të shkurtër dhe me kosto shumë të ulët”.

Zoti Shapiro demonstron se si funksionon teknologjia tre-dimensionale gjatë një prezantimi në Laboratorin Mixed Reality në Universitetin e Kalifornisë së Jugut:

“Ishte e pabesueshme. Brenda një minute ata bënë një kopje timen, një model 3-dimensional timin, që vraponte e kërcente në ekran. Meqë është avatari yt, mund ta përdorësh në Facebook, në vend që të vësh një fotografi tënden, apo kudo ku do të personalizosh informacionin”.

Përdoruesit mund të ndryshojnë çdo ditë paraqitjen e avatarit. Teknologjia pasqyron të veçantat e rrobave, modelit të flokëve dhe bixhuteritë, syzet apo çantën e dorës. Programi kompiuterik kontrollon katalogun e varianteve të modeleve për ta sjellë në jetë avatarin.

Zoti Shapiro thotë se avatarët mund të ndryshojnë komunikimin në median sociale dhe t’i afrojnë më shumë njerëzit.

“Mendoni: kur keni një faqe Facebook, nuk shihen thjesht mesazhet që keni shkruar, por edhe avatari juaj që e shpreh këtë informacion; po ashtu ju dhe avatarët e familjes apo miqve tuaj komunikojnë me njëri-tjetrin. Mendojmë se kjo sjell një efekt psikologjik tepër interesant kur njerëzit të fillojnë të shihen me të afërmit dhe miqtë në këto simulime. Mendojmë se do të ketë një efekt shumë të fuqishëm”.

Për të arritur këtë të nevojitet një kompiuter, programi kompiuterik, një skaner si për shembull Microsoft Kinect i cili realizon një skanim të gjithë personit për afro një minut”.

Duhen rreth dy minuta të tjerë që kompiuteri të përpunojë informacionin para se të shfaqet avatari.

Krijimi i avatarëve tre-dimensionalë në filma kushton me miliona dollarë, por ky avatar është shumë më i lirë:

“Mendojmë se do të kushtojë për çdo avatar nga 10, 50 apo ndoshta 100 dollarë për një produkt që kap figurën e personit”.

Çmimi i ulët ka koston e vet: për momentin këta avatarë nuk arrijnë të krijojnë tipare të imëta të fytyrës. Por me përmirësimin e teknologjisë, thotë Shapiro, do të përmirësohet edhe cilësia.

XS
SM
MD
LG