Lidhje

Kinematë në qiell të hapur


Ndërkohë që gjithnjë e më shumë kinema nëpër botë po modernizohen me teknologji të re që jep një figurë dhe audio me cilësi më të lartë, kostoja për përmirësimin e këtyre formateve po e çon drejt zhdukjes një pjesë dikur shumë të rëndësishme të peisazhit amerikan. Kinematë e vjetëra po përdorin mediat sociale për të ecur me hapin e kohës dhe për të vazhduar biznesin.

Perëndimi i diellit mbi qytetin LaSalë të Illinoit në pasditen e të premtes sinjalizon fillimin e rënies së traditës së njohur amerikane të shikimi të filmave në teatro në qiell të hapur.

“Dikur vinin nga 5.000 makina. Tani kanë ardhur vetëm 388”.

Kinemaja popullore në Route 34 tërheq qindra spektatorë filmash të cilët mbushin një parkim dy hektarësh me makinat e tyre, më tepër në fundjavat e verës.

Ron Magnoni filloi punë këtu në vitin 1987. Në vitin 1994, ai e bleu kinemanë dhe thotë se tashmë i ka mbijetuar shumë gjërave dhe jo vetëm kohës.

“Ky mbrapa meje është ekrani i tretë. I pari u prish dhe ra. I dyti, u prish gati përgjysëm ndërkohë që po transmetohej një film. Dhe patëm një tornado këtu që pothuajse e rrëzoi sërish”.

Por, atë që tornadoja nuk e rrënoi dot, mund ta prishë teknologjia.

Magjia prapa filmave që zoti Magnoni projekton në ekranin e tij gjigand në qiell të hapur është tashmë një relike e vjetëruar; një projektor filmash 35-milimetërsh i ndërtuar në vitet ’50-të.

Po bëhet i papërdorshëm pasi gjithnjë e më shumë kompani nuk po i shpërndajnë më filmat në celuloid, por janë duke përdorur formate dixhitale.

Kjo do të thotë që për të mbajtur hapur kinemanë në Route 34, zoti Magnoni duhet të përmirësojë teknologjinë.

“Paisja që më duhet kushton 70 mijë dollarë. Unë nuk kam burime të mëdha financiare siç kanë kompanitë e mëdha.”

Është një problem me të cilin përballen shumë prej pronarëve të kinemave të pavarura ndërkohë që ata po lëvizin drejt kinemave tërësisht dixhitale.

Përmirësimi drejt teknologjisë dixhitale kërcënon edhe strutkurat unike me domethënie historike, si Teatri Patio në Çikago, i pronarit Demetri Kouvalis.

“Teatri Patio është një pallat klasik filmash i një epoke të shkuar. Nuk kanë ngelur shumë prej këtyre teatrove, jo vetëm në Çikago, por edhe në të gjithë vendin.”

Por, cilësia e asaj çka njerëzit shikojnë tani në Teatrin Patio është e ndryshme, falë një brezi dashamirësish besnikë dhe falë internetit.

“Kemi qenë teatri i parë që filluam një biznes të till në Kickstarter, një faqe interneti që mbledh fonde për biznese të reja, duke marrë mbështetje nga dashamirës, për financimin e blerjes së një paisjeje”.

Falë mbështetësve që mblodhën rreth 50 mijë dollarë, Teatri Patio ka tashmë një projektor dixhital, duke e siguruar të ardhmen e tij.

Megjithatë, pronari i kinemasë, zoti Magnoni, nuk është tifoz i teknologjisë dixhitale.

“Nuk ka aspak luhatje. Personazhet duken shumë më mirë se ç’duhet. Nuk ngjason fare si film”.

Por, zoti Magnoni e di se do t’i duhet të pranojë formatin e ri nëse dëshiron të vazhdojë biznesin.

Duke përdorur mënyrën e vjetër të mbledhjes së donacione përmes përhapjes së fjalës nga një person tek tjetri, zoti Magnoni thotë se ka siguruar pothuajse një të tretën e shumës që i nevojitet për të vazhduar biznesin. Sidoqoftë, koha mbetet e shkurtër përpara se dielli të perëndojë plotësisht mbi një kapitull të historisë së shikimit të filmave, dhe të jetëgjatësisë së tij.

Shumica e kompanive filmike po planifikojnë të ndërpresin vitin tjetër shpërndarjen e filmave të këtij formati.

XS
SM
MD
LG